Reagime për deputetët me skafanderë, Mickoski veprimin e quan terrorizëm, Zekiri e justifikon
Shumë reagime dolën pasi deputetë të infektuar me virusin korona erdhën në Kuvend për të marrë pjesë në seancë edhe pse kanë pasur vendim për izolim.
Në mesin e tyre që reaguan ishte edhe lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski.
“Kjo në kuvend është terrorizëm, e jo 27 prilli”, shkroi Mickoski.
Reagoi pothuajse e gjithë VMRO DPMNE, madje paralajmëruan edhe padi për 2 deputetët.
Pas seancës në Kuvend, reagoi edhe koalicioni ASH-AAA.
“Jemi thellë të dëshpëruar për rrezikimin edhe të deputetëve që janë të infektuar po edhe për faktin që në Kuvendin e Maqedonisë po ndodh një teatër i panevojshëm vetëm për të krijuar shou mediatik për të luajtur rolin e viktimës, pa pasur nevojë”, u shpreh Elmi Aziri nga koalicioni ASH-AAA.
Veprimin e deputetëve të infektuar e justifikoi nënkryetari i LSDM-së Muhamed Zeqiri, duke thënë se ka protokoll dhe se me të njëjtin është vepruar edhe kur u votua Qeveria.
“Jam i befasuar nga disa ish-kolegë të mi gazetarë që reagojnë pa kontrolluar. Për keqardhje!!! Edhe kur u votua Qeveria me protokollin e njëjtë, deputetët që ishin në izolim atëherë morën pjesë në seancë në përputhje me protokollin që është ende në fuqi”, shkroi Zekiri nga LSDM-ja.
Nga MPB deri në këtë edicion lajmesh nuk u përgjigjën nëse deputetët e infektuar me koronavirus kanë shkelur vendimet për izolim me daljen e tyre nga shtëpitë.