Gashi takim me ambasadorin bullgar: Alternativa nuk ka dilema për identitetin dhe gjuhën maqedonase
“AlternAtivA nuk ka asnjë dilemë rreth identitetit të kombit maqedonas dhe gjuhës maqedonase dhe prandaj pret mbështetje dhe mirëkuptim edhe nga bashkëkombësit tanë për kërkesat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, njoftoi Gashi pas takimit
Kryetari i Alternativës Afrim Gashi, bashkë me nënkryetaren e Alternativës, Safije Sadiki – Shaini, në selinë e partisë sot kanë pritur ambasadorin e Bullgarisë në Shkup, Angell Angellov.
Duke i dëshiruar mirëseardhje, me Ambasadorin Bullgar është biseduar për zhvillimet politike në vend dhe procesin eurointegrues.
“Me këtë rast, ne konfirmuam se Alternativa do t’i mbetet besnike qëndrimit për ndryshimet e duhura kushtetuese, që janë çelësi i rrugës sonë europiane.
Kryetari Afrim Gashi e njoftoi Ambasadorin Bullgar edhe për nismën e Alternativës që, gjatë hapjes së kushtetutës, të merret parasysh edhe propozimi i Alternativës që në kushtetutë të sanksionohet edhe lufta kundër korrupsionit, duke ndaluar vjetrimin e lëndëve të tilla.
Ambasadori Bullgar e përshëndeti këtë nismë dhe na uroi sukses, duke vlerësuar se lufta kundër korrupsionit është një vlerë e rëndësishme e Bashkimit Europian.
Ashtu siç e kemi thënë edhe në të kaluarën, AlternAtivA nuk ka asnjë dilemë rreth identitetit të kombit maqedonas dhe gjuhës maqedonase dhe prandaj pret mbështetje dhe mirëkuptim edhe nga bashkëkombësit tanë për kërkesat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Rruga jonë e përbashkët europiane na detyron për bashkëpunim, mirëkuptim dhe bashkëjetesë”, njoftoi Gashi pas takimit.