Maqedoni

Muzeut të Alfabetit në Manastir i këputet rryma në prag të festës së Alfabetit

Muzeu i Alfabetit në Manastir ka ngel në terr për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike, mëson INA. Kjo situatë e tmerrshme po ndodhë në prag të festimeve të përvjetorit të Kongresit të Alfabetit.

“Po kemi hasur që nuk ka rrymë dhe ky muze është në gjendje të mjerueshme”, theksoi për INA, një vizitor i këtij muzeu.

Situatën e tillë e ka alarmuar edhe dega e ASH-së në Manastir.

“E pra, të dashur bashkatdhetarë dhe të gjithë ju dashamirë të kombit shqiptar, që keni vendosur ta vizitoni Muzeun e Alfabetit në Manastir, ju paralajmërojmë që me vete të keni qiri për ndriçim brenda objektit, sepse rryma elektrike është e këputur. Po pra, para festës! Stafi që do t’ju mirëpret në korridor do jenë përmbaruesit të cilët për çdo ditë vizitojnë zyrat e objektit në fjalë me llogari të bllokuar, megjithatë, në sistematizimin e ri është parashikuar një vend i ri pune”, thuhet në reagim.

Ky institucion me rëndësi të veçantë kulturore dhe historike me vite po vazhdon të funksionojë me probleme të shumta, përfshirë edhe pronësinë e objektit.

Festimet e përvjetorit nisin mes datave 14 nëntor – 22 nëntor duke kujtuar nëntorin e 1908, kur u vendos për Alfabetin e gjuhës shqipe.