Skandal në MPJ, ministrja sllovene pritet me flamurin e Sllovakisë
Ministrja sllovene e Punëve të Jashtme Tanja Fajon është pritur dje në zyrën e kolegut të saj Bujar Osmani në Shkup me nderimet më të larta, por me flamur të gabuar.
Në tavolinën mes dy ministrave valonin flamuri sllovak dhe ai maqedonas. Nuk dihet nëse Fajon e ka vërejtur gabimin dhe nëse ka reaguar ndaj kolegut të saj Osmani.
Ndryshe, flamujt e dy vendeve janë të ngjashëm. Fillojnë me të bardhë, blu, pastaj të kuqe. Dallimi është në stemën, e cila është kryesisht blu në flamurin slloven, dhe e kuqe në flamurin sllovak.
Në njoftimin zyrtar të Ministrisë Për Punë të Jashtme (MPJ) për takimin e Osmanit me Fajon, nuk është dërguar foto nga takimi në kabinet, por nga konferenca për media, ku të dy flamujt janë të saktë.