Todorov dhe Filipçe e kanë futur në borxh Ministrinë e Shëndetësisë 8.5 mln euro, flet ministri aktual Bekim Sali
“Të nderuar, ky investim paraqet kurorë në investimet në sistemin shëndetësor. Po themelojmë standard të ri për cilësinë e shërbimeve shëndetësore në Maqedoni. Vetëm investimi i ndërtimit do të kushtojë rreth 70 milionë euro, ndërsa investimi i plotë për modernizimin e kampusit kapin vlerën prej mbi 120 milion euro”, deklaroi Nikolla Todorov, ministër i Shëndetësisë në vitin 2016.
Me këtë deklaratë Nikolla Todorov, ministër i Shëndetësisë në vitin 2016, paralajmëroi ndërtimin e një qendre të re Klinike, por me ndryshimin e qeverive dhe ardhjen e Venko Filipçes në këtë post, ky projekt u ndërpre.
“Fizibiliti studimi është i gatshëm. Agjencia austriake për shëndetësi gjatë javës së ardhshme duhet të dërgojë një letër dhe pastaj menjëherë të njëjtën bashkë me ministrin e Financave t’ua dërgojmë kreditorëve të mundshëm, bankave komerciale dhe institucioneve ndërkombëtare. Ekspertët konsiderojnë se përgjigje mund të merret brenda 2-3 javëve dhe pastaj të shohim cilat janë kushtet më të volitshme dhe kush do të jetë kreditori”, tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë 2019.
Tani ministri aktual Bekim Sali është i obliguar që të paguajë gjobë prej rreth 8.5 milionë euro kompanisë italiane. Gjykata e arbitrazhit është një nga opsionet për të mos dhënë kaq shumë para në kohë krize ekonomike, thonë tani nga Ministria e Shëndetësisë.
“Kompania italiane një kërkesë dërgoi në mars, tani kanë dërguar tjetër. Ata kërkojnë t’u paguhen mjetet, ose në të kundërtën do padisin. Sipas gjitha gjasave i tërë procesi do të zgjidhet në Gjykatën e Arbitrazhit në Paris”, ka deklaruar Sali për Fokus.
Përndryshe ideja për ndërtimin e një qendre të re klinike ekziston që nga viti 2009 dhe deri tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim në këtë drejtim, përveç asaj që disa herë janë caktuar lokacione të ndryshme për ndërtimin e së njëjtës.