BE ia ndalon Serbisë ‘pazaret’ me naftën ruse
Serbia më në fund ka nisur t’i ndiej pasojat si rezultat i mbështetjes së Rusisë në mësymjen e saj ndaj shtetit dhe popullit ukrainas. Bashkimi Evropian ka vendosur që ta sanksionojë.
Gazetarja Erisa Zykaj nga Brukseli ka raportuar se me pakon e tetë të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, Serbisë i është hequr privilegji i të importuarit naftë, gaz e produkte të tjera nga Rusia.
Ky vendim i bllokut evropian është ndëshkim i Serbisë për mosrreshtimin, apo mospërafrimin e saj me sanksionet e BE-së kundër Rusisë.
“Ajo që ka ndodhur është që në fakt, për vendet e treta, ka pasur një përjashtim që i mundësonte këtyre vendeve, të vazhdonin të furnizonin me naftë dhe produkte të tjera të papërpunuara, të naftës apo gazit, që vinin nga Rusia”, ka thënë gazetarja Zykaj.
Ajo ka thënë se Serbisë do t’i ndalohet furnizimi me naftë ruse nga dhjetori i vitit 2022, ndërsa me naftë të papërpunuar dhe produkte të tjera nga shkurti i vitit 2023.
Vendimi i fundit, i marrë në kuadër të paketës së tetë të sanksioneve të Bashkimit Evropian, thotë pikërisht që këto vende të treta si Serbia, nuk do të kenë më mundësi të furnizohen me produktet e naftës që nga dhjetori i vitit 2022 dhe për produktet e tjera të papërunuara të naftës, duke filluar nga muaji shkurt i vitit 2023.
“Disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian nuk kanë dashur më të mbështesin një derogacion (përjashtim) për importin e naftës ruse drejt vendeve të treta si Serbia. Ato e kanë kundërshtaur këtë derogacion (përjashtim) me argumentimin se Serbia nuk ka aprovuar sanksionet e BE-sër kundër Rusisë dhe nuk është rreshtuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian. Si rrjedhim, sipas paketës së tetë të sanksioneve të BE-së, Serbia nuk do të mund të furnizohet më me naftë bruto ruse nisur nga dhjetori 2022”, ka shtuar gazetarja.
Ndryshe, sot presidenti serb Aleksandër Vuçiq tha se mendon që Serbia nuk do të përjashtohet nga importi i naftës ruse.
Mirëpo, ai gjithashtu ka shtuar se po përgatiten të blejnë naftë tjetër dhe për këtë do të flas nesër kur do të shpallë vendimet e rëndësishme afatgjata për naftën dhe gazin që do të marrë Serbia.
“Nesër do të dëgjoni përgjigjen tonë, do të ketë vendime të rëndësishme për Serbinë”, u tha Vuçiç gazetarëve.
Ai vuri në dukje se Serbia mund të importojë naftë përmes maunave, por se është shumë më e shtrenjtë dhe ka shumë probleme, prandaj bëhet përmes një tubacioni të naftës.
Ai ka theksuar se dikur ka ofruar dhe ka biseduar me kryeministrin e atëhershëm të Kroacisë për ndërtimin e hekurudhës së shpejtë Beograd – Zagreb – Lubjanë, duke pasur parasysh se kjo është rruga më e shpejtë për Serbinë drejt Evropës Perëndimore dhe Qendrore.