Kulturë

Promovohet libri me poezi “Imagjinata e endacakes” i Merita Abazit

Në praninë e adhuruesve të fjalës së shkruar në hollin Shtëpisë së Kulturës në Tetovë Shoqata e Shkrimtarëve “Oeneum” organizoi përurimin e librit “Imagjinata e endacakes” të autores Merita Abazi.

“Poezia është një instrument komunikimi emocional, ku ndërlidhet imagjinata krijuese, pasi përbëhet nga një botë e veçantë e mendimeve me subjekte të ndryshme, deshifrimi i sensibilitetit jetik për kohën e dashurisë, kohë e përshtatshme apo e vështirë për të dashuruar”-thesoi gjatë moderimit Sadije Aliti.
Edhe redaktori i librit dr.Avni Presheva, paraqiti një vlerësim për librin që u promovua.
Në vlerësimin e tij recensenti, Suhej Havolli, mes tjerash shkruan:”Poetja sikur na end poshtë e lartë nëpër shtigje për të arritur me ndihmën e imagjinatës tek qëllimi i mungesës për të shëruar gjëmën e shpirtit”.
Behare Neziri, kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Oeneum, prezantoi një fjalë rasti rreth librit. ” Në titullin e librit “Imagjinata e endacakes”, poetesha Merita Abazi, na shfaqet si një e panjohur mes të njohurës sa reale po aq edhe sureale, sa objektive po aq edhe subjektive, duke rreshtuar poezitë sipas një kronologjie jete ku fjalën e kanë: dashuria, lumturia, dhimbja, shpresa, dhe kujtesa”- tha ajo.
“Fuqia e fjalës, si gjuhë e vetme simbolike për ta përceptuar dashurinë, është në konstelacion me botën e jashtme dhe atë të brendshme, dashuria është ndjenjë frymëzimi”-tha mes tjerash dr.Ejup Ajdini në fjalën e rastit.
Poezi nga libri “Imagjinata e endacakes”, lexuan krijueset e reja anëtare të Shoqatës së Shkrimtarëve Oeneum: Anida Pajaziti, Amra Fetai, Merita Isaku, Elisa Iljazi dhe mbesa e autores Rina Idrizi. Në instrumentin e violinës disa pika muzikore prezentoi Flakron Arsllani.
Autorja, profesoresha Merita Abazi, në një fjalë rasti, shprehu një faleminderim për të gjithë të pranishmit dhe për organizatorët e promovimit.
Kujtime nga koha rinore evokuan miqtë e saj: Daim Iljazi, Nebehate Qahili, Zejna Halimi e të tjerë.
Poeti është i dashuruar në çdo kohë, e në çdo stinë të vitit, edhe në shi edhe në diell, andaj buzëqeshja e të dashurës i shndërrit edhe natën e ia mbush me dritë shpirtin e etur për dashuri.