Vuçiq: Mund të lejohen dokumentet kosovare, deklarata mosnjohëse në muret e vendkalimeve
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri me dije se është gati të heq praktikën e pajisjes me formular shtesë të qytetarëve që me dokumente të Kosovës hyjnë në Serbi.
Kjo, duke vendosur vetëm një deklaratë të shkruar në pikat kufitare, të cilave iu referohet si administrative, njofton Klankosova.tv.
“Ne jemi të gatshëm të bëjmë një shpallje të përgjithshme dhe ta vendosim nëpër vendkalimet administrative, presim garancitë e BE-së dhe në to do të shkruajë se mundësohet përdorimi i dokumenteve personale të lëshuara nga ana e Prishtinës ekskluzivisht për arsye praktike për të mundësuar lirinë e lëvizjes dhe nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së shpallur njëanshëm të Kosovës”, tha Vuçiq, të shtunën, në një adresim për qytetarët e Serbisë.
Ai theksoi se “për ne është e rëndësishme që serbët nga Kosova të mund të lëvizin me dokumente nga Serbia, të hyjnë dhe të dalin nga Kosova”.
“Ne kërkojmë garanci nga BE-ja për këtë, presim përgjigje nga Borelli dhe Lajçaku në tre deri në katër ditët e ardhshme, që do të thotë se çdo serb nga Kosova mund të hyjë dhe të dalë nga Kosova me dokumente nga Serbia”, thotë Vuçiq.
Presidenti serb shton se nuk e paragjykon përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës dhe se kjo nuk mund të interpretohet si devijim nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por bën me dije se nuk e njeh pavarësinë e saj.
“Kemi ardhur në atë pikë që nuk pajtohemi për asgjë, as për njohje e as për njohje reciproke. Mesazhi ynë ishte se mund ta harroni, nuk ka njohje, as mos e humbni kohën kot dhe mos shpenzoni para për bileta avioni, as nuk do të flas për këtë. Të zgjidhjet e kompromisit për çështjet tjera nuk kemi ardhur, nuk ka marrëveshje për targat, ata nga 1 shtatori do të fillojnë ta zbatojnë, por afati për këtë është dy muaj”, tha ai.