Maqedoni

Ndërtimi i marinës në Ohër aktualizohet vetëm para zgjedhjeve

Qytetarët e Ohrit marrin premtime për ndërtimin e marinës vetëm para zgjedhjeve. Menjëherë më pas partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre i harrojnë të gjitha këto, ndaj premtimet mbeten vetëm në letër dhe në platformat e tyre programore. Ndërkohë, liqeni i Ohrit po fillon të mbytet nga numri gjithnjë e më i madh i mjeteve lundruese dhe nuk ka më vend për t’i parkuar në të vetmin lokacion që tani shërben për këtë qëllim – në kanalin e Studençishtës.

“Koha e ndërtimit të një marine ka ardhur që moti. Nevojitet një koordinim i fortë mes shërbimeve urbanistike të vetëqeverisjes lokale, të vetë shtetit dhe UNESCO-s. Kjo çështje do të duhet të zgjidhet për t’u lehtësuar ky presion, pasi kanali nuk ka më kapacitet fizik për t’iu përgjigjur të gjitha nevojave të pronarëve për ruajtjen e anijeve”, tha Goran Ustianoski-kapiten në kapiteni.

Burime nga Ndërmarrja Publike “Biljanini Izvori” thonë se për momentin të gjitha vendet në kanal janë të mbushura dhe se kërkohet një vend më shumë për anije.

“Shpresoj të gjendet një mënyrë për të ndërtuar një marinë sa më shpejt që të jetë e mundur që presioni të marrë fund. Shumë mjete lundruese, që sipas informacioneve që kam janë të regjistruara rreth 3000 mjete lundruese ndërsa ne menaxhojmë me 130 vende parkimi dhe në total ka vend për vetëm 250 mjete në kanal. Kemi dhe marinën e thatë, por vështirë se dikush e përdor. Të gjithë kanë siguruar marinë të thatë, problemi është parkimi në kanal”, deklaroi Teodor Andonoski – drejtor i NP #Biljanini Izvori”.

Turistët dhe qytetarët e Ohrit çdo verë janë dëshmitarë mjeteve lundruese që sillen në Ohër.

“Regjistri ynë në këtë moment ka arritur nga 2700 deri në 2800 mjete lundruese, por kjo nuk do të thotë se të gjitha janë në liqenin e Ohrit. Ne mbajmë gjithë regjistrin për gjithë territorin. Por, se ka një rritje, po ka. Ka rritje të anijeve që janë pak më moderne, më ekologjike për mjedisin, tha Goran Ustianoski-kapiten në kapiteni

Prej vitesh debatohet për vendin më të përshtatshëm për ndërtimin e marinës. Propozimi i fundit ishte ndërtimi në grykëderdhjen e lumit Daljan, duke respektuar të gjitha standardet mjedisore.

Nga Kapiteneria si institucion në kuadër të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve thonë se nuk zgjidhin probleme të infrastrukturës. Por kur vjen momenti i ndërtimit, ata janë të detyruar vetëm të japin mendimin e tyre. Përveç kësaj, kanali i Studençishtës është vend dimërimi i peshkut cironkë, por për faktin se pronarët e anijeve mbushin rezervuarët me benzinë, ky lloj peshku vjen gjithnjë e më pak./Alsat.mk