Maqedoni

Orhan Murtezani: Alternativa do të jetë çelës për funksionimin e mbarë të Tetovës

Zëdhënësi i Alternativës, Orhan Murtezani, ka deklaruar se sot Tetova dhe tetovarët kanë dëshmuar pjekuri politike dhe demokratike. Ai ka uruar ata që kanë marrë numër më të madh të votave dhe të këshilltarëve.

“Dua ta përgëzoj këtu edhe këshilltarin e ardhshëm të Alternativës Faton Selamin, si përfaqësues ynë i ardhshëm në Këshillin komunal të Tetovës. Sa i takon AAA dhe rezultatit tonë në këto zgjedhje si parti në vete, ne jemi të kënaqur nga ky rezultat, ndonëse pritjet tona kanë qenë më të larta, konform angazhimit dhe punës që kemi bërë jo vetëm këtë fushatë por në përgjithësi për Tetovën. Sidoqoftë ky rezultat dëshmon se Alternativa ka qëndrueshmëri stabile në Tetovë dhe se vlerësimi që na është bërë në të kaluarën në koalicionin e dy palë zgjedhjeve të kaluara ka qenë jo real, për mos të thënë jo korrekt”, tha Orhan Murtezani, raporton SHENJA.

Murtezani shtoi se që nesër në Tetovë do të hapen një faqe e re ku Alternativa do të jetë alternativë e vërtet dhe çelës për funksionimin e mbarë të Tetovës.

“Pas kësaj mund të themi lirisht se Alternativa është etabluar fuqishëm edhe në Tetovë”, tha Murtezani, duke shtuar se ata do të jenë konstruktiv me të gjitha subjektet që do të punojnë për të mirën e Tetovës. /SHENJA/