Lajm i mirë në prag të krizës energjetike, largpërçuesi 110 kV Vrutok-Tetovë ndërtohet me dinamikë të pandërprerë
Ndërtimi i largpërçuesit 110 kV me dy sisteme Vrutok-Tetovë vazhdon me dinamikë të pandërprerë. Kontraktorit “Ndrekaj” nga Tirana i kanë mbetur edhe 8.46 km për të ndërtuar, nga totali i trasës së largpërçuesit 33 km të gjatë. Nën mbikëqyrjen e “Stolb” nga Manastiri dhe ekipit të Njësisë së ORrT -së të ShA MEPSO, rrënohen shtyllat e vjetra prej betoni njësistemëshe dhe në afërsi të tyre vendosen shtylla të reja prej çeliku me dy sisteme.
“Përfitimet e kompletimit të këtij largpërçuesi si njësi funksionale janë të mëdha. Nga katër lidhjet ekzistuese jo vetëm që do të shtohen gjashtë lidhje të reja 110 kV, por do të ndryshohet plotësisht edhe konfiguracioni i transmetimit, i cili do të përmirësojë stabilitetin e transmetimit të energjisë elektrike për banorët dhe ekonominë në rajonin e Pollogut”, njoftojnë nga MEPSO.
Ndërtimi I largpërçuesit 110 kV Vrutok-Tetovë ka filluar në vitin 2008 nga kontraktori i atëhershëm “EMO” Ohër, ndërsa mjetet financiare janë siguruar nga BEI. Pas kolapsit të “EMO”, ndërtimi u ndërpre, nuk u zgjodh asnjë kontraktues i ri dhe leja e ndërtimit skadoi. Leja u rinovua vitin e kaluar.