Kërçovari i dyshuar me linë e majmunëve ikë nga spitali
Një person i moshës 43 vjeçare nga Kërçova dyshohet se është i infektuar me linë e majmunit. Pasi kishte qëndruar 3 javë në Austri, ai kërkoi ndihmë mjekësore, shkruan Alsat.
Nga Spitali i Kërçovës thonë se pacienti në fjalë ka arritur në repart të hënën me simptomat e plogështisë dhe shenjave të dukshme në lëkurë.
Nga ekzaminimet e para të mjekut kujdestar i është rekomanduar të ndalet në spital dhe të testohet për linë e majmunit.
Por, sipas autoriteteve lokale kërçovari ka ikur dhe nuk është paraqitur më as tek mjeku amë.
“Ky pacient fillimisht të hënën është paraqitur tek mjeku amë dhe është udhëzuar menjëherë, megjithëse kanë pasur bashkëpunim të vështirë me pacientin. Për momentin nuk mund të përgjigjem dot a është paraqitur në Klinikën Infektive, apo jo. Në spitalin tonë ka qenë të hënën-të martën dhe është udhëzuar të shkojë në Klinikën Infektive në Shkup, por nuk është paraqitur në shërbimet e kujdestarisë, andaj theksoj se kishim bashkëpunim të vështirë me pacientin dhe nuk di tjetër çfarë të ju them për momentin”, tha Stanko Trpeski, Drejtor i Spitalit të Kërçovës.
Sipas protokollit shëndetësor, pacienti i dyshuar me linë e majmunit është dashur që me autoambulancë të transportohet në Klinikën Infektive. Ngaqë spitali rajonal nuk kanë mjete për testime të tilla, drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Kërçovë tha se pacienti nuk është paraqitur as në Repartin e Ndihmës shpejtë.
“Nuk ka ardhur absolutisht të kërkoj ndihmë për transport apo për mjekim te Ndihma e shpejtë, jo! Këtë e them unë me përgjegjësi. Them unë, shërbimi që mbuloj unë nuk kemi pacient të këtillë që të ketë ardhur të kërkoj ndihmë te ne, informata të tjera nuk kam se nuk jam në Kërçovë”, theksoi Xhabir Bajrami, Drejtor i Shtëpisë së Shëndetit Kërçovë.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se në Klinikën Infektive nuk ka asnjë pacient të dyshuar për linë e majmunit. Ata kumtuan se ka një person, i cili dyshohet se është i infektuar dhe të cilit i është dhënë rekomandim për testim. Pas kësaj është kërkuar të bëhet anketë epidemiologjike e kontakteve të tij.
“Aktualisht është duke u organizuar një ekip epidemiologjik për të kryer një anketë epidemiologjike. Deri më tani, në Institutin e Shëndetit Publik nuk është dorëzuar asnjë material testues dhe nuk ka asnjë rast të konfirmuar të lisë së majmunëve në vend”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Nga Qendra Shëndetit Publik të Manastirit, kompetentë për atë rajon i bëjnë thirrje personit në fjalë që të izolohet dhe të bashkëpunojë me autoritetet shëndetësore lokale. Kujtojmë që përhapja e sëmundjes infektive dhe rrezikimi i shëndetit publik është e dënueshme sipas Kodit Penal edhe me burg deri 3 vjet./ Alsat.mk