Maqedoni

Lypsarët ‘vërshojnë’ Strugën

Policia, komuna dhe Qendra për punë sociale po ngrenë supet për zgjidhjen e problemit me numrin e madh të lypsarëve në Strugë, i cili është veçanërisht i pranishëm gjatë periudhës së verës. Të gjithë arsyetohen se kanë kompetenca të kufizuara, shkruan Alsat.

Bëhet fjalë për një fenomen të organizuar dhe një pjesë e mirë e atyre që lypin janë të mitur. Edhe pse të gjithë thonë se kanë marrë masa dhe janë të pranishëm në terren, fotografia nga rrugët e Strugës flet për diçka krejtësisht tjetër.

“99% e tyre nuk kanë asnjë identifikim personal. Ata nuk kanë as emër e as mbiemër. Ne i ndalojmë njerëzit në stacion, i fotografojmë. Thonë se janë nga Velesi, nga Prilepi. I thërrasim institucionet atje, thonë ai person nuk ekziston në Prilep dhe Veles. Nuk mund t’i burgosim ata njerëz ashtu thjeshtë. As kemi ambiente ku mund t’i mbajmë ata njerëz. Nuk mund t’i ndalojmë në stacion policorë as ata fëmijë”, tha Abdulkerim Kamberi – komandant i stacionit policor të Strugës.

“Është mirë të dihet se ata fëmijë po vijnë me familjet e tyre. Kur takojmë fëmijë në rrugë, i largojmë. Ata keqpërdoren. Më së shumti vijnë nga Shtipi dhe Manastiri”, u shpreh Mevmet Halili, drejtor i Qendrës për Punë Sociale.

Kryetari i komunës së Strugës thotë se është e vështirë të zgjidhet plotësisht problemi, pasi asnjë nga lypësit nuk është nga Struga.

Është rënë dakord që nga java e ardhshme të formohen ekipe të lëvizshme, të përbëra nga përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, Qendrës së Punës Sociale dhe këshilltarëve të komunës, të cilët do jenë të pranishëm në terren./ Alsat.mk