Rajon - Botë

Erdogani e promovon veturën e parë elektrike turke

Presidenti turk Rexhep Erdogan me test-vozitje e ka promovuar veturën e parë elektrike turje TOGG. Vetura pritet të shihet në rrugët e Turqisë në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm, ndërsa sipas paralajmërimeve do të shitet me çmim të kapshëm. Ekonomia turke përballet me inflacion të lartë, ndërsa vendet perëndimore kanë frikë se autoritetet në Ankara zgjidhjen e shohin në thellimin e marrëdhënieve me Rusinë.

Presidenti Erdogan bëri një “test-vozitje” me veturën e parë elektrike turke “TOGG”, edhe pse fabrika në të cilën është prodhuar, në krahinën verilindore Koçaeli, zyrtarisht do të hapet më 29 tetor. Duke shtuar se veturat e para “TOGG” do të jenë në shitje në fillim të vitit të ardhshëm, Erdogan theksoi se Turqia me këtë i kundërshton të gjithë ata që kishin dyshime.

“Turqia tashmë nuk është vetëm treg i teknologjisë së re, Turqia së shpejti do të bëhet vend që do të prodhojë dhe do të eksportojë teknologji të re. Vetura turke do të udhëtojë në rrugët e vendit krahas dyshimeve të të gjithë atyre që kanë thënë: nuk mund ta bëni, nuk mund ta prodhoni, nuk mund ta shitni,” deklaroi Rexhep Taip Erdogan President i Turqisë

Grupacioni “TOGG” është themeluar në vitin 2018, ndërsa vitin vijues e paralajmëroi prodhimin e prototipit për veturën e parë elektrike turke. Plani i “TOGG” është të prodhojë një milion vetura, në pesë modele të ndryshme deri në vitin 2030. Ekonomia turke në muajt e fundit ka mbetur pas, e goditur nga shkalla e lartë e inflacionit. Nga ana tjetër, vendet përëndimore shprehin shqetësim për shkak të thellimit të lidhjeve ekonomike në mes Turqisë dhe Rusisë.