Kosovë

Albini tall Ramën, Vuçiqin dhe shokët e tyre, formon “Ballkonin e Hapur”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndoshta kënaqen e qeshin shumë kur takohen – siç tha ky i fundit në vizitën e fundit në Prishtinë – por nga larg jo rrallë herë ia drejtojnë shigjetat njëri-tjetrit.

Kur erdhi në Kosovë në qershor për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, Rama tha se njerëzit do të habiteshin po t’i shinin se si qeshin me Kurtin kur takohen.

Rama thoshte se auto-ironia që përdorin të dy, i bashkon ata.

Por homologu i tij në Prishtinë, Kurti, të martën mbrëma nga ballkoni i Kryeministrisë u tall pak me të për iniciativën e “Ballkanit të Hapur”. Në një takim me mërgimtarë, kryeministri i Kosovës shpalli iniciativën “Ballkoni i Hapur”, shkruan Gazeta Express.

“Si Kryeministër i Republikës së Kosovës e kam mirëpritur iniciativën e stafit të Kryeministrisë që ta bëjmë “Ballkonin e Hapur””, citohet të ketë thënë Kurti.

Përplasjet e para publike mes Ramës dhe Kurtit nisën pikërisht me Mini-Shengenin apo Ballkanin e Hapur, siç u quajt më vonë. Kjo nismë u kundërshtua që në fillim nga Kurti, e Rama shprehu jo pak neveri saherë kur nga Kosova i thuhet se kjo s’ishte në interesin e vendit.

Deklaratat e Ramës ku bën thirrje për pajtim dhe që “të mos mbesim peng të së kaluarës” janë bërë të zakonshme kohët e fundit. Ato me siguri se s’i kanë pëlqyer aspak Kurtit, i cili e thekson kudo që mundet se Serbia nuk është distancuar nga e kaluara dhe se për çfarë krimesh në Ballkan është përgjegjëse ajo.