KFOR: Jemi të gatshëm nëse rrezikohet stabiliteti i Kosovës
KFOR-i ka thënë se janë të gatshëm të ndërhyjnë nëse rrezikohet stabiliteti i Kosovësë.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se situata e përgjithshme e sigurisë në komunat veriore të Kosovës është e tensionuar.
“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO po monitoron nga afër dhe është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti, në përputhje me mandatin e tij, që vjen nga Rezoluta 1244 e OKB-së e vitit 1999. Misioni ynë i KFOR-it i udhëhequr nga NATO është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij të OKB-së për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë popullin e Kosovës”.
“KFOR-i mban një qëndrim të dukshëm dhe të shkathët në terren dhe komandanti i KFOR-it është në kontakt me të gjithë bashkëbiseduesit e tij kryesorë, duke përfshirë përfaqësuesit e organizatave të sigurisë së Kosovës dhe shefin serb të Mbrojtjes”, thuhet në njoftim.
Tutje, theksohet se ata e mbështesin procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
NATO gjithashtu vazhdon të mbështesë plotësisht procesin e normalizimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të vazhdojnë negociatat. Është e rëndësishme që kjo të vazhdojë. Kjo është kritike për paqen dhe sigurinë rajonale. Nuk do të ketë perspektiva reale për një të ardhme më të mirë në Ballkan, pa respekt të plotë të të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike, sundimit të ligjit, reformave të brendshme dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore. Dialogu konstruktiv është kyç për stabilitetin rajonal. KFOR-i do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbajtur një mjedis të sigurt në Kosovë gjatë gjithë kohës, në përputhje me mandatin e tij të OKB-së”, thuhet në njoftim, transmeton KlanKosova.tv.