Maqedoni

Drejtoresha e shkarkuar rikthehet në punë, Llalla: Vendimin e mora nga MASH

Pasi Ministria e Arsimit ia mori kompetencat Kryetarit të Tetovës për shkarkimin dhe emërimin e drejtorit të gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”, sot drejtoresha e shkarkuar, Teuta Llalla ka marrë vendim përmes të cilit është kthyer në punë si drejtoreshë e këtij gjimnazi. Me këtë veprim të Ministrisë së Arsimit, ajo vlerëson se më në fund erdhi në vend edhe ajo gjatë ditës së sotme nuk ka pasur asnjë pengesë në punë, transmeton TV21.

“Sot kam marr vendimin nga ana e Ministrisë së Arsimit, jam kthyer në vendin tim të punës pa ndonjë shqetësim pa ndonjë telash apo provokim thjeshtë sot kam ardhur të vazhdojë punën ku e ka lënë ushtruesja e detyrës profesoresha paraprake që ishte drejtoresh”, deklaroi Llalla.

Llalla u shkarkua me 12 maj nga posti i drejtoreshës për keqpërdorime financiare, lëshime në procedura tenderimi dhe procedura të tjera. Kjo erdhi një ditë pasi këshilli i shkollës shqyrtoi raportin e revizionit dhe solli rekomandimin për kryetarin e komunës. Ajo mohoi konstatimet e revizionit dhe tha se shkarkimi është bërë me prapavija politike. Në vend të saj si ushtruese detyre u emërua profesoresha Hatije Azizi- Etemi, e cila është anëtare e kryesisë qendrore të Lëvizjes Besa dhe ish-këshilltare komunale. Paraprakisht, kishte akuza se Llallës nga Komuna i është kërkuar të jep dorrëheqje, por komuna mohoi diçka të tillë.