Tetova gjysma në pushime, gjysma në votime: Më 20 gusht do të votohet për 13 lista kandidatësh!
Më 20 gusht të këtij viti qytetarët e Tetovës përsëri do të dalin në zgjedhje, këtë herë për Këshillin e komunës.
Këtyre ditëve ka përfunduar madje dorëzimi i listave të kandidatëve, ndërsa Komisioni komunal zgjedhor njoftoi se janë dorëzuar gjithsej 13 lista, 11 parti politike dhe dy lista të Listës së zgjedhësve.
Interesi i partive politike për hyrje në Këshillin e komunës është rritur dhe tani ka të iniciuara tre lista më shumë lidhur me zgjedhjet e fundit në vitin 2021.
“Sipas afatit të KSHZ-së afati për dorëzimin e listave për anëtarë të Këshillit të komunës së Tetovës ka skaduar më 15 korrik në orën 24 dhe deri te Komisioni komunal zgjedhor janë dorëzuar 13 lista prej të cilëve 11 nga partitë politike dhe dy nga lista e Grupit të zgjedhësve. Nga partitë politike që kanë dorëzuar listat janë: BDI, PDSH, Alternativa, Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa, OBRM-PDUKM, LSDM, Partia Integra, E Majta, PCER, PDT si dhe dy lista të Grupit të zgjedhësve ku në njërën bartës është Elmedina Abdullai, ndërsa tek i dyti Agon Zaimi”, deklaroi Nazmi Dauti, sekretar i KKZ-së.
Zgjedhjet do të mbahen në kohën e sezonit turistik ku një pjesë e popullatës shfrytëzojnë pushimet verore dhe është e panjohur se sa do të jetë dalja në zgjedhje, por sipas Dautit kur janë në pyetje zgjedhjet për Këshillin e komunës nuk ka census dhe zgjedhja realizohet pa dallim se sa qytetarë do të dalin në votime.
“Unë megjithatë shpresoj se do të ketë dalje dhe qytetarët do ta realizojnë të drejtën e tyre qytetare dhe të drejtën e votës”, tha Dauti.
Fushata zgjedhore fillon njëzet ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, ndërsa mbaron 24 orë para ditës së mbajtjes së zgjedhjeve. KKZ në Tetovë mbulon 117 vendvotime, ndërsa numri i përgjithshëm i votuesve do të dihet pas mbylljes së listës zgjedhore që është e hapur për azhurnim deri më 20 korrik.
Në këtë komunë organizohen përsëri zgjedhje për Këshillin e komunës pasi Këshilli nuk arriti në kohë të miratojë Llogarinë përfundimtare të komunës dhe sipas ligjit për Pushtet lokal, Qeveria e shpërbën Këshillin, ndërsa kryetari i Kuvendit ka shpallur zgjedhjet për më 20 gusht këtë vit.