Maqedoni

Grubi dhe Aliti prononcohen për fillimin e negociatave me BE-në

Kisha kënaqësinë që si pjesë e delegacionit qeveritar sot të marr pjesë këtë ngjarje historike në Bruksel, në kryeqendrën e Bashkimit Evropian, në konferencën e parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian që hapet procesi për pranim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, ka deklaruar ministri për Shoqëri Informatike, Admirim Aliti, pas mbledhjes me të cilen Maqedonia e Veriut filloi negociatat me BE-në.

“Maqedonia e Veriut me dekada e ka pritur këtë ditë historike dhe pas heqjes së vetos nga Bullgaria u mundësua nisja e hapjes së bisedimeve për anëtarësimin e vendit në BE”, tha Aliti.

Ai shtoi se në Evropë, në këtë shoqëri demokratike ne shkojmë të bashkuar si një trung dhe shoqëri multikulturore e cila kultivon vlerat e demokracisë, drejtësisë dhe mirëqenies. Aliti poashtu ka folur edhe për porositë e kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Layen.
“Ursula von der Layen sot në mëngjes theksoi se shteti i jonë shumë shpejt do të nis bisedimet me BE për FRONTEKS dhe marrëveshje tjera të cilat do ta lehtësonin jetën e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

Puna dhe synimet tona si qeveri e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë që jeta e qytetarëve të lehtësohet dhe sidomos është e rëndësishme që në këtë kohë të krizës ekonomike të kemi lajme të këtilla të mira”, shtoi Aliti.

Ai porositi se si pjesë e Bashkimit Evropian duhet që të punojmë bashkërisht për sigurimin e paqes, drejtësisë dhe mirëqenies e të gjithë qytetarëve duke respektuar dallimet e tyre mbi çfarëdo baze.

Lidhur me këtë mbledhje është prononcuar edhr zevendes kryeministri i parë, Artan Grubi.

“Erdhi dita kur të gjitha përpjekjet për të ruajtur orientimin properëndimor të vendit u kurorëzuan me sukses, kur e gjithë qasja jonë konstruktive për të zgjidhur kontestet me fqinjët po sjell ditë më të mira, horizont pa asnjë pengesë drejt qëllimit final të integrimit” kështu shkruan zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi në rrjetet sociale.

Ai ka shtuar se nga sot vendi ka filluar të shkruaj bashkë me qytetarët e vendit kapitullin e ri të progresit dhe zhvillimit dhe atë të fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“Sa e sa sfida kishim para vetes, dukej e pamundur të arrinim cakun, sa e sa ideologji të dezorientimit dhe frikës nga forca regresive deshën të na pengonin në qëllimin tonë të sinqertë, por me vendosmëri, me punë, me përkrahjen e madhe të mbarë Europës ia dolëm që sot të ulemi në tavolinën e punës në zemër të Europës për të projektuar ardhmërinë europiane.Do të kemi shumë punë para vetes, përgjegjësi madhore, por me pjekuri dhe racionalitet ashtu si deri më tani do t’ia dalim të ngadhënjejmë në të gjitha sfidat. ME ZEMËR DREJT EUROPËS!”, ka shkruar Grubi.