Maqedonia e dyta në nivel global për tërheqjen e investimeve të huaja (Tabela)
Maqedonia e Veriut është renditur e dyta në garën Globale për tërheqjen e Investimeve të huaja direkte.
Këtë e tregon Indeksi i Performancës së FDI të Investment Monitor 2022, i cili mat nivelet e investimeve të brendshme të vendit.
Drejtori i Agjencionit për Investime të huaja dhe promovimin e eksportit, Bekim Emini ka thënë se në gjashtë muajt e fundit Agjencioni për Investime të huaja dhe promovim të eksportit i Republikës së Maqedonisë Veriut e ka përmirësuar imazhin para investitorëve të huaj, ndonëse ka pranuar se në këtë drejtim ka ende punë për të bërë.
Emini ka potencuar se përmirësimi i imazhit të vendit tonë vjen si rezultat i punës së mirë që është kryer gjatë kësaj periudhe nga ana e Agjencionit dhe institucioneve vendore.
“Kemi qenë prezent në mediat shoqërore, ku kemi prezantuar Agjencionin për Investime te huaja si një institucion kredibil dhe këtë e kemi dëshmuar me shumë veprime në gjashtë muajt e fundit. Kemi punuar me shumë investitor potencial ndërkombëtarë me qëllim të tërheqjes së tyre. Tani, ata e shohin Republikën e Maqedonisë së Veriut si vend ku mund të zhvillojnë aktivitetin e tyre”, u shpreh Emini.
Sipas tij, ka një ndryshim thelbësor në qeverisjen e institucionit që ka ndryshuar imazhin e vendit para investitorëve te huaj ndërkombëtar.
“Për një kohë të shkurtër nuk mund të ndryshojnë të gjitha gjërat, por ka një ndryshim drastik pozitiv”, thekson Emini.