Maqedoni

Edhe një ish ministër i BDI-së sivjet udhëtoi në Haxh (Foto)

Nga Republika e Maqedonisë së Veriut për pelegrinazh këtë vit kanë shkuar 919 besimtarë.

Besimtarët kanë udhëtuar me 27, 29 dhe 30 qershor me pesë fluturime çarter Shkup-Xheda. Më i moshuari prej haxhilerëve nga Maqedonia e Veriut është 65 vjeç, ndërsa më i vogli 7 dhe 8 vjeç, fëmijë që udhëtojnë me prindërit e tyre.

Në mesin e qytetarëve nga Maqedonia e Veriut që kanë udhetuar në Haxh është edhe ish ministri, Sadulla Duraku.

Grupin e parë te haxhilerëve nga Maqedonia e Veriut për në Vendet e Shenjta në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit e ka përcjellur edhe kreu i Bashkësisë Fetare Islame (BFI), Shaqir Fetahu.

Në deklaratë për AA, ai tha se numri i kandidatëve për haxh ka qenë edhe më i madh.

“Numri i haxhilerëve është komplet aq sa kemi pasur edhe viza, do me thënë këtë vit i kemi 919. Por, më vjen keq se nuk kanë mundur ta realizojnë haxhin, pra shkuarjen në haxh, edhe shumë kandidatë. Mund të them me qindra kanë mbetur pa shkuar për arsye se kuota e vizave ka qenë aq”, u shpreh Fetahu.

Ai uroi që vitin e ardhshëm të kenë mundësinë të shkojnë në Haxh të gjithë ata që kanë mbetur pa shkuar këtë vit.

Kthimi i besimtarëve pas ekzekutimit të shtyllës së pestë të Islamit – haxhit do të jetë më 21, 22 dhe 25 korrik, Medine-Shkup.