Kolumna

Sali Berisha, kreu i opozitë konservatore në Shqipëri, është aleati më i mirë i SHBA në Ballkan

Nga Nikola Kedhi

Ballkani prodhon më shumë histori sesa mund të konsumojë, ka thënë Winston Churchill. Është një rajon me histori të pasur, ku janë zhvilluar luftëra të përgjakshme, janë bërë padrejtësi të mëdha dhe janë gjunjëzuar Perandori të vjetra. Ballkani është ura mes lindjes dhe perëndimit, vendkalimi i mentaliteteve të ndryshme dhe vendi ku përplasen shumë interesa gjeopolitike.

Më konkretisht, ndërkohë që popullsia sllave e zonës është më e prirur drejt Rusisë për arsye historike dhe kulturore, Shqipëria dhe Kosova janë ndër vendet më proamerikane në botë.

Shtetet e Bashkuara luajtën një rol kyç në dekadat e para të shekullit të njëzetë në sigurimin e integritetit territorial të Shqipërisë. Me ndihmën e disa administratave amerikane, Shqipëria arriti të mbajë territorin që ka sot, edhe pse rajone të rëndësishme u lanë jashtë dhe u gëlltitën nga fqinjët.

Në vitet nëntëdhjetë dhe në dekadën e parë të shekullit, prania amerikane në Ballkan dhe në Shqipëri ishte konstruktive, madje jetike. Megjithatë, në dekadën e fundit, ka pasur një zhvendosje në fokusin e Amerikës drejt pjesëve të tjera të globit. Administrata Obama u mjaftua me nocionin e stabilokracisë, duke sakrifikuar demokracinë e brendshme të këtyre vendeve për stabilitetin rajonal.

Kjo, së bashku me një ndërhyrje e perceptuar në punët e brendshme të burokratëve dhe diplomatëve amerikanë, duke favorizuar aktorë të veçantë vendas, kanë gërryer masivisht besimin që dikur ishte në Shtetet e Bashkuara edhe në Shqipëri dhe Kosovë – një zhvillim prej së cilit fatkeqësisht mund të përfitojnë vetëm kundërshtarët gjeopolitikë. Gjatë administratës Trump pati përpjekje për të ndryshuar diçka për mirë, përmes të dërguarit të tij Richard Grenell. Megjithatë, nuk mjaftoi për të zhbërë të gjithë dëmin e shkaktuar nga administrata e mëparshme. Deri pak muaj më parë, rajoni dukej i destinuar të shkonte përfundimisht drejt stanjacionit dhe autoritarizmit, për të mos ndryshuar kurrë dhe përgjithmonë peng i autokracisë.

Megjithatë, shtatorin e kaluar, një farë ndryshimi u mboll në vendin më të pamendueshëm. Në Shqipëri, ish-kryeministri dhe presidenti, Sali Berisha, u rikthye në politikën aktive për të shpëtuar të djathtën shqiptare dhe vendin nga rruga socialiste që kishte ndërmarrë. Pasi u përjashtua arbitrarisht nga grupi parlamentar i partisë së tij nga ish-kryetari i Partisë Demokratike, ai u bë katalizatori për një lëvizje të jashtëzakonshme, të vërtetë, nga poshtë-lart. Elektorati i krahut të djathtë, i zhgënjyer, i dekurajuar dhe gati i pashpresë, kishte nevojë për këtë shkëndijë inkurajimi nga lideri i tyre historik. Premtimi për ndryshim, idetë konservatore dhe karizma e Sali Berishës ishin formula që zgjuan një lëvizje.

Berisha është parë prej kohësh si një figurë karizmatike, një burrë shteti me përvojë, i respektuar brenda dhe jashtë vendit, i aftë t’u bëjë ballë neokomunistëve agresivë dhe të mbrojë njerëzit e thjeshtë të Shqipërisë, interesin kombëtar dhe liritë individuale. Qeveria e tij nga viti 2005 deri në vitin 2013, veçanërisht në mandatin e parë, shihet si më e suksesshmja që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Ishin reformat e tij Reganiste që ulën varfërinë, rritën punësimin dhe forcuan klasën e mesme.

Falë reformave të qeverisë së tij, Shqipëria u bashkua me NATO-n, liberalizoi vizat me BE-në dhe zbatoi reformat e nevojshme që hapën bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Në mandatin e tij të dytë, ai luftoi për pavarësinë energjetike, duke punuar për një tubacion gazi që do të ndihmonte në uljen e varësisë nga Rusia. Një Shqipëri e begatë dhe më demokratike u bë një faktor stabiliteti në rajon dhe një aleat i rëndësishëm amerikan. Presidenti Bush vizitoi vendin në vitin 2007 – i pari president amerikan. Më pas, ishte administrata Obama që vlerësoi reformat kundër korrupsionit të zotit Berisha. Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton tha në vitin 2012 se ‘nëse doni të shihni demokracinë të funksionojë, shkoni në Shqipëri’.

Pasi humbi zgjedhjet në 2013, Berisha mundësoi një tranzicion paqësor të pushtetit dhe dha dorëheqjen edhe nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike. Megjithatë, ai vazhdoi të bënte një opozitë të fortë kundër qeverisë socialiste. Më shumë se një herë, edhe në opozitë, ai u bë një faktor vendimtar në ndalimin e përpjekjeve për ndryshimin e kufijve në Ballkan – duke siguruar edhe një herë stabilitetin në rajon ndërkohë që vazhdonte luftën për demokraci brenda vendit.

Papritur, pranverën e kaluar, pas 8 vitesh në opozitë, pa mbajtur asnjë post apo pushtet zyrtar, Berisha u shpall i papërshtatshëm për të marrë vizë në Shtetet e Bashkuara nga sekretari Blinken – i njëjti njeri që e kishte konsideruar Berishën kampion të antikorrupsionit kur ai kishte qenë në qeveri. Ish-kryeministri e paditi sekretarin Blinken për shpifje dhe e sfidoi atë dhe të këdo tjetër të jepnin çdo provë në lidhje me motivin e korrupsionit për përcaktimin non-grata. Që nga viti i kaluar, pavarësisht disa kërkesave nga vetë Berisha, kongresmeni Lee Zeldin, ish-drejtori në detyrë i inteligjencës amerikane, Richard Grenell dhe shumë gazetarë, nuk është dhënë asnjë fakt kundër zotit Berisha, i cili denoncoi Fondacionin e Shoqërisë së Hapur si subjekti që loboi kundër tij për emërtimin non grata, si hakmarrje për ndalimin e planit për ndryshime kufijsh në Ballkan. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA duket se i konfirmoi pjesërisht këto pretendime.

Megjithatë, Berisha duket se nuk shqetësohet nga sulme të tilla. Së fundmi, ai u rizgjodh si kryetar i Partisë Demokratike, ka bashkuar elektoratin e krahut të djathtë rreth tij dhe zotohet të transformojë forcën e tij politike në një parti të vërtetë konservatore, pavarësisht të majtëve të fshehur dhe politikanëve mediokër, disa prej të cilëve, ndonëse publikisht aleatë me ish-kryeministrin për arsye personale, sabotojnë përpjekjet e tij.

Konservatorizmi shihet nga njerëzit si një shans real për të përqafuar ndryshimin përmes një vizioni të ri që vendos qytetarët, interesin kombëtar dhe familjet shqiptare të parët, nëpërmjet uljes së taksave, të borxhit dhe shpenzimeve publike, tregjeve më të lira dhe më të drejta, rivendosjes së rendit dhe ligjit, luftës kundër korrupsionit, dhe mbrojtjes së lirive individuale – të gjitha nocioneqë qëndrojnë në themeë të shoqërisë amerikane.

Duke u mbështetur në atë që ka arritur qeveria e tij e mëparshme, duke përdorur përvojën e konsiderueshme që ka grumbulluar në tridhjetë vitet e fundit dhe duke ofruar një vizion të ri dhe të vërtetë konservator, ai shihet si shpresa më e mirë për një Shqipëri demokratike, duke qëndruar si shembull i lirisë në një rajon të rrethuar nga autokracia. Berisha mbetet i vetmi lider i një partie të madhe në Ballkan që lufton për parimet euroatlantike, argumenton fort kundër ndërhyrjes ruse dhe kineze dhe pro lirisë dhe konservatorizmit.

Do të ishte një mundësi e humbur për Shqipërinë, Ballkanin dhe madje edhe SHBA-në që të braktisin farën e vetme të ndryshimit demokratik në një rajon të rëndësishëm, kaq të ndjeshëm ndaj ndikimeve të rrezikshme ruse dhe kineze.

Një aleancë e tillë vlerash dhe interesash gjeopolitike midis Shqipërisë dhe Amerikës jo vetëm që do t’i japë një goditje të madhe autoritarizmit, por do të stabilizojë më tej rajonin dhe në të njëjtën kohë do të mbajë larg ndikimet e dëmshme. Konservatorët shqiptarë i kanë dhënë edhe një herë besimin e tyre ish kryeministrit Berisha. Tani, besimi te SHBA – të duhet dhe mund të rikthehet në Shqipëri, jo me ndërhyrje burokratike, por duke treguar se Amerika respekton dhe mbështet ata që mbrojnë lirinë, demokracinë dhe patriotizmin.

*Botuar në televizionin amerikan, Newsmax.com