Maqedoni

Paralajmërimet dhe kërkesat e Hristijan Mickoskit! Me protesta VMRO-DPMNE kërkon zgjedhje të parakohshme

Me sloganin “E tepërt është”, VMRO-DPMNE-ja para Qeverisë protestoi duke kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare!

“E tepërt është të shohim se si Maqedonia jonë po rrënohet gurë pas guri, me shumë vuajtje, me pritje të pafund dhe po, është e tepërt! E tepërt është!”, tha Hristijan Mickoski, kryetar VMRO-DPMNE.
Pasi foli nga asfalti, siç tha, si një prej mijëra qytetarëve, kur u ngjit në skenë, kreu i partisë Hristijan Mickoski kritikoi pothuajse për çdo sferë. Qeverinë e quajti kriminale dhe tradhtare. Për propozimin francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë tha se është “bullgarizim me këste i Maqedonisë”. I kërkoi kryeministrit Kovaçevski ta refuzojë, e nëse qeveria e sjell marrëveshjen jashtë kuvendit, siguroi se qeveria e ardhshme e drejtuar nga VMRO-DPMNE nuk do ta respektoje dhe zbatoje asnjë pikë.

Dua edhe një herë të jem i qartë. 80 deputetë, 2/3, e ndryshojnë kushtetutën. Kjo varet nga VMRO-DPMNE, e deri sa unë jam kryetar nuk do të ndryshohet Kushtetuta, që pjesë e tij të jenë kërkesat bullgare”, theksoi Hristijan Mickoski, kryetar VMRO-DPMNE.

Dha edhe këshilla se si duhej të ishte përgjigjur Kovapçevski ndaj shakasë së Ramës që e quajti “kryeministret të Bullgarisë Perëndimore”.

“Vetëm duhet t’i kthehej e t’i thoshte, z.Rama ju as nuk merrni vesh nga gjeografia, e aq më pak histori. Kjo është Maqedonia ime! Kjo është Maqedonia ime!”, tha Hristijan Mickoski, kryetar VMRO-DPMNE.

Gjendjen aktuale e quajti “gjenocid ekonomike”, ndërsa paaftësia e qeverisë ka shkatërruar standardin e jetesës.

“Kjo është shumë e rëndësishme. Të paralajmëroj se na pret një prej dimrave më të vështirë deri më tani në këto 30 vite pavarësi dhe me qeveri të këtillë të paaftë, ilaçi nuk është “pako me masa” por rrugëdalja janë zgjedhjet si zgjidhja e vetme për lirinë e popullit dhe Maqedonisë”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar VMRO-DPMNE.

Tha se kjo verë do të jetë verë protestash, ndërsa për shqiptarët kishte kërkesë të veçantë.

“Thërras bashkëqytetarët tanë shqiptarë. Patjetër së bashku duhet të përpiqemi për të nesërme të përbashkët më të mirë! Se mos do të lejoni që BDI të jetë shef i jetëve tuaja?!”, tha Hristijan Mickoski, kryetar VMRO-DPMNE.

Nëse s’ka marrëveshje për zgjedhje të parakohshme, Mickoski paralajmëroi do të ketë bllokadë të plotë në Kuvend, rrugë dhe institucione.