Maqedoni

Presidentja Osmani takoi presidentin e RMV-së, Stevo Pendarovski

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të Forumit të Prespës për Dialog që po mbahet në Ohër është takuar me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Në takim me të, Presidentja Osmani ka rikonfirmuar raportet e shkëlqyera në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetjen e ndërsjellë drejt integrimit evropian si dhe qëndrimin e përbashkët në raport me situatën e sigurisë në Evropë.

“Sa më shpejtë që vendet e përkushtuara të Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e BE-së, aq më shumë do të pengohet ndikimi rus në rajon nëpërmjet satelitëve të saj. Me presidentin Pendarovski do ta vazhdojmë komunikimin e ngushtë për t’i përafruar dy vendet tona”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Me ftesë të Presidentit Pendarovski, Presidentja Osmani po merr pjesë në Forumin e Prespës për Dialog me temë: Formësimi i të ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën bashkëkohore evropiane të sigurisë, i cili po zhvillon punimet nga data 16 deri 18 qershor në Ohër.