Maqedoni

Qeveria miratoi vendim: Tetova shkon në zgjedhje për Këshillin Komunal

Komuna e Tetovës do të shkojë në zgjedhje për Këshillin Komunal pasi e njëjta nuk arriti ta miratojë llogarinë përfundimtare për vitin paraprak në afatin kohor, kështu vendosi Qeveria e vendit në seancën e sotme, dhe të njëjtën.

“Është miratuar vendimi për shpërbërjen e Këshillit të Komunës”, thanë shkurt për Portalb.mk nga Qeveria.

Më shumë informacion nga Qeveria do të ketë më vonë, dhe për këtë lajmi do të përditësohet me detaje shtesë.
Vendimi i sotëm i Qeverisë erdhi pasi që u shkel (Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, neni 75, paragrafi 2) në të cilin ishte e paraparë që Qeveria të vendos në afat prej një muaji për çështjen e shpërbërjes së Këshillit. Afati skadoi më 9 qershor.

Çfarë ka ndodhur dhe çka më tutje?

Këshilli i Komunës së Tetovës do të shpërbëhet dhe si pasojë të organizohen zgjedhje të reja për këshill komunal, pasi këshilli nuk e ka miratuar llogarinë përfundimtare të buxhetit të komunës për vitin e kaluar (2021) deri me 31 mars të këtij viti ashtu siç e parasheh Ligji për Vetëqeverisje Lokale.
Kryetari i Komunës së Tetovës e ka shkelur nenin 33 të Ligjit për financim të pushtetit lokal, pasi nuk e ka dorëzuar projektligjin vjetor për miratim në Këshillin e Komunës, më së voni deri më 28 shkurt. Nga ku më pas Këshilli është dashur ta miratojë llogarinë vjetore për vitin paraprak më së voni deri më 15 mars dhe të ia dorëzojë Ministrisë së Financave më së voni deri më 31 mars të këtij viti.

Pika e miratimit të llogarisë përfundimtare të Buxhetit të Komunës së Tetovës për vitin 2021, në vend se të mbahet më 31 mars, kur ishte afati i fundit ligjor, atë ditë vetëm u lajmërua se kjo pikë së pari herë në rend dite do të jetë në seancën e nëntë e cila u mbajt me 7 prill 2021.

Në këtë datë, pika nuk u miratua në këshill pasi këshilltarët kërkuan sqarime shtesë për të. Në seancën e fundit, të dhjetën, me 27 prill, seanca dështoi, andaj dhe kjo pikë sërish nuk arriti të miratohet.

Për rastin në fjalë, sipas dispozitave ligjore, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale me 5 maj e ka pranuar njoftimin nga Komuna e Tetovës për plotësimin e kushtit për shpërbërje të Këshillit Komunal.

MVL, më 9 maj na informoi se kanë paraqitur propozim Qeverisë së RMV-së për shpërbërje të këtij këshilli.
Qeveria, në afat prej një muaj nga dita e pranimit të propozimit duhet të sjell vendim për shpërndarjen e këshillit sipas fuqisë ligjore. Afati që Qeveria të sjell vendim për shpërbërjen e Këshillit të Komunës së Tetovës ishte deri me 6 qershor (nëse e llogaritim 4 javë) apo 9 qershor (nëse llogaritet një muaj fiks nga nata e pranimit), dhe të njëjtin ta publikojë në Gazetën Zyrtare. Por Qeveria deri në këto data nuk ka sjellë vendim, të njëjtin e solli sot.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) tha se sipas nenit 16 dhe 159 të Kodit Zgjedhor, zgjedhjet e mundshme të parakohshme për Këshillin e Komunës së Tetovës shpallen pas plotësimit të kushteve të përcaktuara me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.