Maqedoni

Tmerr në Maqedoni, nëna ka shitur vajzën e saj me aftësi ndryshe

RMV, një vajzë me aftësi ndryshe është shitur për shërbime seksuale nga nëna dhe motra e saj

Prokuroria Themelore për Krim të Organizuar dhe korrupsion ka hapur hetim për gjashtë persona për “Trafikim të qenieve njerëzore”. Bëhet fjalë për rast ku një vajzë me aftësi ndryshe katër muaj është shitur për shërbime seksuale nga ana e nënës dhe motrës së saj, njofton Portalb.mk.

“Në periudhën prej dhjetorit të vitit 2021 deri në prill të vitit 2022, e dyshuara e tretë dhe e katërt – nëna dhe motra e viktimës veçanërisht të ndjeshme, e kanë rekrutuar vajzën duke e keqpërdorur pozitën e saj si familjarë më të afërt të viktimës ndaj të cilës kanë pasur kontroll, por edhe duke e keqpërdorur aftësinë e saj mentale. Pastaj e kanë dorëzuar te i dyshuari i parë dhe i dytë të cilët e kanë pranuar dhe strehuar në shtëpitë e tyre për shfrytëzim seksual me ata dhe me persona tjerë të paidentifikuar, për çka të dyshuarit nënës dhe motrës u kanë dhënë para ose përfitime tjera. Viktima është gjetur nga ana e zyrtarëve policorë të MPB-së në shtëpinë e të dyshuarit të gjashtë i cili e ka pranuar për ta shfrytëzuar seksualisht dhe për punë për kompensim prej 5.000 denarëve”, kumtoi Prokuroria.

Prokuroria i ka propozuar gjykatësit të procedurës paraprake të Gjykatës Penale të Shkupit që të dyshuarve t’u shqiptohet masë paraburgimi.