Maqedoni

Çka thotë opozita për ‘ahengun’ prej 100 mijë eurove të BDI-së?

Tallje dhe ofendim për qytetarët e vlerëson Aleanca për Shqiptarët koncertin dhe festën e BDI-së për, siç thonë, defile në kohë krize në qytetin që është prekur nga disa fatkeqësi kohën e fundit, shkruan Alsat.

Lëvizja Besa, nga ana tjetër, kërkon që BDI-ja të bëjë transparente se nga vinë financat me të cilat mbulon shpenzimet e festimeve.

“Kanë humbur kontaktit me realitetin si rezultat i jetëgjatësisë në qeveri. Ne nuk e dimë çka festojnë. A festojnë ikjen masive të qytetarëve, veçanërisht të rinisë? A festojnë diskriminimin institucional? A festojnë varfërinë ekstreme? A festojnë ngritjen enorme të çmimeve? A festojnë dështimet edhe në politikat rajonale, edhe në politikat ndërkombëtare? Ata edhe mund të festojnë, edhe të bëjnë dasma. Por, kjo është ajo dëshmi se fare pak ose aspak nuk mbajnë llogari për jetën e qytetarëve por prioritet mbi prioritetet e tyre është interesi individual dhe interesi partiak”, tha Elmi Aziri, deputet i Aleancës për Shqiptarët.

“Partia shqiptare do të festoj 20 vjetorin e themelimit me një mega koncert me këngëtarë të estradës shqiptare që do t’i kushtoj me mijëra euro. Obligimi i tyre si subjekt politik është të tregojnë se me çfarë parash do t’i paguajnë këngëtarët në këtë krizë globale me çmime stratosferike. Ky subjekt politik në vend që parat e tyre t’i destinojë në zbutjen e krizës së qytetarëve, ata po i shfrytëzojnë për aheng, duke e ditur se pjesa më e madhe e qytetarëve nuk kanë para as për një thes miell”, thonë nga – Lëvizja Besa./ Alsat.mk