Maqedoni

Duke punuar për “çështjen kombëtare”, BDI u bë pronare e një ndërtese në qendër të Tetovës

Partia shqiptare në pushtet BDI e udhëhequr nga Ali Ahmeti ka rritur pronësinë e paluajtshme partiake me një objekt afarist-administrativ që ndodhet në qendër të Tetovës, shkruan Fokus.
Sipas edicionit online të javores maqedonase, objekti gjendet në rrethin e “Telekom”.
Sipas të dhënave të javores, bëhet fjalë për një godinë me kat përdhes dhe 3 kate, me sipërfaqe të brendshme 1423 metra katrorë.
Përkatësisht, BDI-ja e ka në pronësi objektin në ngastrën kadastrale 2061/3 përmes certifikatës pronësore 38220, ndërsa toka është ende në pronësi të shtetit përmes certifikatës pronësore 38219.

Siç na tha shefi i departamentit financiar të BDI-së, Bejtula Ademi, për blerjen e këtij objekti kanë marrë një kredi bankare prej rreth 900 mijë euro, me afat kthimi prej 7 vitesh.
Lidhur me pyetjen se për çfarë qëllimi partia planifikon ta shfrytëzojë objektin, ku shihet një bord i të rinjve të BDI-së dhe postera të liderit të partisë, Ademi u përgjigj se nuk i takon përgjegjësive dhe kompetencave të tij.
Prandaj të njëjtën pyetje ia kemi bërë edhe Artan Grubit, shefit të kabinetit të Ahmetit, por deri më tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje, shkruan Fokus.
Kurse në pyetjen tonë një burim brenda BDI-së është përgjigjur se këtë pasuri e kanë krijuar “duke punuar për çështjen kombëtare”.