Abazoviçi i Ulqinit dhe Abazi i Zajazit: partitë jeshile dhe mbyllja e çështjes shqiptare
Shkruan: Arben Fetai
Shumë shqiptarë iu gëzuan, me të drejtë, krijimit të qeverisë së re të Malit të Zi, jo aq shumë për faktin se u dërgua në opozitë koalicioni i nacionalistëve serbë të ish kryeministrit Zdravko Krivokapiç, por sepse Dritan Abazoviç, një shqiptar nga Ulqini u zgjodh kryeministër.
Abazoviç drejton lëvizjen qytetare dhe të gjelbër URA (“Ujedinjena reformska akcija”) e cila në zgjedhjet e gushtit 2020 fitoi tre mandate deputetësh në parlamentin 81 anëtarësh malazez, të cilat e bënë këtë parti një kingmaker që vendos për fatin e qeverive. Abazoviç e shfrytëzoi këtë pozitë në mënyre maestrale, duke rrëzuar përkohësisht regjimin tridhjetëvjeçar të Milo Gjukanoviçit, për të instaluar nacionalistët serbë në krye të ekzekutivit dhe vetën në karrigen e zëvendës kryeministrit.
Siç pritej qysh nga votimi i saj me vetëm 41 vota deputetësh, qeveria heteroklite Krivokapiç ku bashkëjetonin populistët e djathtë me populistët e majtë, nacionalistët serbë me liberalët e gjelbër malazez, u përball shumë shpejtë me tensione të brendshme. Këto kishin të bënin me pozicionimin karshi gjenocidit të Srebrenicës dhe agresionin rus ndaj Ukrainës, reformat në drejtësi dhe vënien para përgjegjësisë të zyrtarëve të korruptuar të regjimit Gjukanoviç. Çështja polarizuese e hegjemonisë fetare dhe pronësore të kishës ortodokse serbe në Mal të Zi ia dha goditjen e fundit këtij koalicioni të brishtë dhe dërgoi në rrëzimin e qeverisë Krivokapiç në muajin shkurt, 17 muaj nga instalimi i saj.
Falë ujdive me Gjukanoviçin, të cilin e kishte luftuar për vite me radhë, Abazoviç u imponua si kryeministër i ardhshëm i Malit të Zi dhe, më 28 prill, mori timonin e një qeverie minoritare me vetëm 16 deputetë, por të përkrahur nga partia e Gjukanoviçit, i cili kësisoj fitoi amnisti për keqqeverisjen tridhjetë vjeçare dhe rikthimin në pushtet, pa qenë formalisht pjesë e koalicionit.
Zgjedhja e Abazoviçit në krye të ekzekutivit malazez, nga shumica e politikanëve dhe komentuesve shqiptarë në Ballkan, u prit në terma superlativ. Ky ekzaltim kolektiv ishte pakëz sa i çuditshëm marrë parasysh profilin e Abazoviçit, shqipen e tij gjysmake që tregon për një përdorim të çrregullt të gjuhës amtare por edhe intervistën e tij të bujshme pas ngritjes së përmendores së Skënderbeut në Ulqin, ku ai pati deklaruar se Gjergj Kastrioti kishte prejardhje serbe si nga nëna ashtu edhe nga babai.
Megjithatë, pak nga kureshtja e pak ndoshta edhe për të sfiduar paragjykimet, vendosa të ndjek intervistën e Abazoviçit në Klan Kosova, që ishte paraqitja e tij e parë si kryeministër në një medium të madh shqiptar.
Qasjen e tij ndaj Ballkanit të Hapur dhe të demarkacionit të kufirit midis Kosovës dhe Malit të Zi lënë anash, ishin shokuese qëndrimet e Abazoviçit sa i përket pozitës së shqiptarëve në shtetin e Malit të Zi dhe shfajësimi që i bëri pushteteve paraprake për diskriminimin e rrënjosur thellë ndaj shqiptarëve.
Kur gazetari e pyeti Abazoviçin se si do të ndryshohet gjendja e shqiptarëve në Mal të Zi, duke kujtuar se ata janë thellësisht të diskriminuar si në aspektin e përdorimit të gjuhës shqipe dhe të flamurit, ashtu edhe në rrafshin e investimeve publike dhe të përfaqësimit proporcional në sektorin publik, Abazoviç u përgjigj pak a shumë kështu.
Ai tha se, në Mal të Zi, të gjitha kombësitë ndjehen të diskriminuara por se kjo retorikë vjen nga ata njerëz të cilët kanë dështuar të arrijnë planet e tyre të karrierës në politikë. Abazoviç shtoi se diskriminimi ka mbaruar në momentin kur një shqiptar ëshë bërë Kryeministër. Ky është një mesazh i rrezikshëm nga Abazoviç: meqë ai si kryeministër shqiptar nuk përballet me diskriminim, diskriminimi është vetëm një alibi i atyre që nuk kanë arritur në majat e pushtetit.
Sa i përket përfaqësimit proporcional të kombësive në sektorin publik, Abazoviç tha se kjo çështje nuk duhet të trajtohet si përqindje. Sipas tij, ajo që kërkohet nga administratorët shtetëror nuk duhet të jetë përkatësia kombëtare por profesionalizmi. Përsëri, ky është një mesazh i dëmshëm që arsyeton faktin se shqiptarët, me 5% të popullatës, përfaqësohen në shtet me vetëm 1%, dhe madje edhe legjitimon diskriminimin, duke nënkuptuar se në mesin e shqiptarëve nuk gjinden njerëz profesionistë dhe të denjë për punë të shtetit.
Në lidhje me gjendjen e mjerueshme të Ulqinit si komuna më e varfër bregdetare në Mal të Zi, Abazoviç shkoi aq larg saqë i fajësoi vetë shqiptarët të cilët sipas tij nuk qenkan “kollitur” sa duhet për Ulqinin në Podgoricë. Ai arsyetoi mungesën e zhvillimit të Ulqinit me mos punën e qeverisjes lokale, duke injoruar kështu faktin se buxheti i Ulqinit është diku vetëm 15 milionë euro në vit (përafërsisht sa ai i Strugës) dhe se Mali i Zi është ndër vendet më të centralizuara në Evropë, ku gjithçka vendoset nga qeveria.
Këto janë relativizime të rrezikshme, aq më tepër kur ato dalin nga goja e një politikani shqiptar. Abazoviç, me apo pa vetëdije, duke u paraqitur më liberal sesa një politikan nga Skandinavia ku problemet e tilla janë rregulluar që moti, në fakt bie në grackën e qarqeve përgjegjëse për diskriminimin e jashtëzakonshëm me të cilin janë përballur në vazhdimësi shqiptarët e Malit të Zi. Duke shpallur të mbyllur çështjen shqiptare me ardhjen e tij në pushtet, Abazoviç bie në grackën e uljes së debatit në rrafshin e individit dhe të logjikës jugosllave të shqiptarit të ndershëm, gjë që mundëson ikjen nga obligimi kushtetues i shtetit malazez për të garantuar të drejtat dhe liritë kolektivë të pakicave kombëtare.
Neve në Maqedoninë e Veriut, kjo qasje e gabuar nuk ka se si të na mos kujtojë retorikën e viteve të fundit të një Abazi tjetër, atë të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili para një viti gjithashtu shpalli të përmbyllur agjendën kombëtare në vendin tonë, kur njofutoi publikun për ribrendimin e partisë së tij si parti e gjelbër, njëjtë si URA e Abazoviçit.
Ahmeti asokohe tha se, meqë partia e tij ka zbatuar plotësisht Marrëveshjen e Ohrit, sjellur barazinë e plotë, zyrtarizuar gjuhën shqipe dhe arritur përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, ka ardhur koha që BDI të lëviz përtej të drejtave kolektive të shqiptarëve dhe të përqafojë agjendën e gjelbër.
Natyrisht se të gjitha këto janë propagandë klasike neokomuniste me të cilat na ka mësuar BDI që nga themelimi i saj. Marrëveshja e Ohrit, dy dekada pas nënshkrimit të saj, nuk është përmbyllur as për së afërmi dhe Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet e karakterizuar me një diskriminim strukturor ndaj shqiptarëve në të gjitha fushat e jetës publike. Gjuha shqipe ngelet në gjuhë e përkthyer dhe pjesërisht zyrtare ndërsa përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është bërë farsë, me shumë institucione buxhetore ku përfaqësimi i shqiptarëve vazhdon të ngelet nën 10%. Sa i përket vetëqeverisjes lokale, Maqedonia e Veriut është vendi më i centralizuar në Evropë, ku vazhdon logjika e eksploatimit, me komuna me shumicë shqiptare të nën financuara në krahasim me ato me shumicë maqedone.
Kjo propagandë e BDI-së megjithatë bie ndesh me kërkesën e tyre të pa përmbushur deri më tani për kryeministrin e parë shqiptar. Nga kjo lindin dy pyetje legjitime. Meqë barazia e plotë na qenka arritur, çfarë rëndësie na paska tani përkatësia kombëtare e kryeministrit? Dhe pse kryeministri i BDI-së nuk qenka i denjë për të ushtruar një detyrë të tillë përtej periudhës teknike të 100-ditëshit të fundit të qeverisë?
Përgjigjet në këto pyetje janë të thjeshta: kryeministri teknik i BDI-së është manipulim i radhës me kërkesën e përhershme të shqiptarëve për barazi të plotë. Ajo që ngelet për t’u parë është nëse Abazi i Zajazit do të shkojë hapave të Abazit të Ulqinit, duke shpallur të mbyllur përfundimisht çështjen shqiptare në Maqedoninë e Veriut, dhe hequr dorë kështu nga të drejtat kolektive dhe kombëtare të shqiptarëve.