Për dy vjet, 80 prokurorë më pak
Për dy vite do të mungojnë 77 prokurorë në vend. Kjo do të jetë një e treta më pak nga numri i nevojshëm i prokurorëve, thotë kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Antonio Jolevski. Për këtë arsye ai kërkon një koncept të ri për përzgjedhjen e prokurorëve, të paktën për periudhën aktuale. Propozon shkurtimin e periudhës 2-vjeçare të trajnimit të Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë, për kandidatët që punojnë në këtë fushë, shkruan Alsat.
“Ajo periudhë mund të shkurtohet ose me shkurtim të trajnimit, nëse miratohet një ligj i tillë, sepse ai ekzistues është ashtu siç është, ose të zgjidhet një koncept tjetër për pranim në Akademi, nëse do të jetë nga radhët e bashkëpunëtorëve profesional dhe avokatëve me trajnim të shkurtuar, me trajnim që do të ishte vetëm me pjesë teorike, sepse ata bëjnë pjesën praktike”, tha Antonio Jolevski, Kryetar i Këshillit të Prokurorëve Publikë
Qëndrimi i Jolevskit vjen pasi Këshilli i Prokurorëve Publikë dhe Këshilli Gjyqësor paraprakisht fajësuan Akademinë, se nuk prodhonte gjyqtarë dhe prokurorë prej kohësh. Mirëpo, drejtoresha e Akademisë pohon se problemi ka qenë në menaxhmentin e mëparshëm të këtij institucioni. Ajo paralajmëroi trajnimin e numrit më të madh deri tani të gjyqtarëve dhe prokurorëve të ardhshëm.
“…Pra, 97 persona janë pranuar dhe do të fillojnë mësimin në datën 16 të këtij muaji. Duke qenë se Bashkimi Evropian insiston që të mos shkurtohet kohëzgjatja e trajnimit, trajnimi zgjat dy vite kalendarike, pas së cilës do të kemi sërish gjeneratë të re”, tha Natasha Gaber Damjanovska, drejtoreshë e Akademisë për gjykatës dhe prokurorë publik
Deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit 2023, gjenerata e shtatë e kandidatëve për gjykatës dhe prokurorë duhet të dalë nga kjo Akademi. Bëhet fjalë për 29 prokurorë dhe 30 gjykatës të ri. /Alsat.mk