Osmani nuk është në rrjedha me punën e vetë, Bullgaria e përgënjeshtron
Gjatë një takimi në shkurt, Bullgaria informoi Maqedoninë e Veriut se propozimet e tyre nuk ishin të pranueshme dhe se bisedimet duhet të vazhdojnë. Kështu ka bërë të ditur për “BGNES” MPJ e Bullgarisë në lidhje me pretendimet e ministrit të Jashtëm të RMV-së Bujar Osmani se ekziston një dokument që është i pranueshëm për ne, por pritet përgjigje nga autoritetet në Sofje.
“Ka një dialog aktiv ndërmjet Ministrive të Punëve të Jashtme të Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për të gjetur zgjidhje për çështje të hapura politike. Takimi i fundit i ekspertëve të ekipeve të Ministrisë së Punëve të Jashtme u mbajt më 11 shkurt të këtij viti, ku u diskutua për propozimet e fundit të Maqedonisë së Veriut, të dërguara zyrtarisht në dhjetor 2021 si përgjigje ndaj propozimeve të palës bullgare.
Në takimin e muajit shkurt, pala bullgare i informoi përfaqësuesit e Maqedonisë së Veriut se propozimet e tyre nuk ishin të pranueshme dhe se bisedimet duhet të vazhdojnë”, thonë nga Ministria e Jashtme bullgare.
Ata shtuan se “kur të ketë një perspektivë për përparim të rëndësishëm, pala bullgare do të dërgojë propozimin e saj për të afruar qëndrimet”.