Maqedonia e Veriut shpalli edhe gjashtë diplomatë të tjerë rusë persona non grata
MPJ e Maqedonisë së Veriut sot ka shpallur gjashtë diplomatë të ambasadës ruse në Shkup si persona non grata.
“Sot në hapësirat e Ministrisë së Punëve të Jashtme është thirrur Ambasadori i Federatës Ruse në vend, Sergei Bazdnikin, të cilit i është dorëzuar nota diplomatike, me të cilën gjashtë diplomatë dhe punonjës të Ambasadës së Federatës Ruse në Shkup janë shpallur të padëshirueshëm në vend ose persona non grata.
Në bazë të informacioneve të marra nga organet kompetente, personat në fjalë kanë kryer veprime që janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike dhe në pesë ditët e ardhshme do të duhet të largohen nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut”, njoftojnë nga MPJ