Rajon - Botë

Shqiptari në ushtrinë e Ukrainës mesazh ushtarëve të Putinit: Do të merni atë që e meritoni! (Video)

Një 24-vjeçar shqiptar është në radhët e vullnetarëve krah ukrainasve në kufirin me Rusinë. Emanuel Bazanji, një ish-ushtar i ushtrisë shqiptare i është bashkuar para dy viteve ushtrisë ukrainase, në kuadër të komandës së një ish-oficeri ushtarak gjeorgjian të quajtur Mamuka Mamulashvili. “Legjioni Kombëtar i Gjeorgjisë” vepronte si njësi e vijës së parë në vitet e luftës në rajonin lindor të Donbasit në Ukrainë.

Bazanji ka folur deri tani për shumë media shqiptare dhe të huaja, por porosinë më të fuqishme së fundmi e ka dërguar përmes televizionit të madh amerikan, ABC.

“Unë kam shumë vëllezër këtu. Nëse ushtarët rusë vinë, do e marin atë që e meritojnë”, ka thënë Bazanji.

Më herët, në një reportazh të gjatë të revistës “Coffee or Die Magazine” Bazanji tha se “ajo që na bashkon është dashuria për lirinë, dashuria për demokracinë dhe dashuria për të ndihmuar njerëzit” duke hedhur poshtë akuzat se ai ishte një “mercenar”.

“Ne nuk paguhemi këtu, nuk po i kërkojmë qeverisë ukrainase asgjë, ne jemi vetëm këtu për t’i ndihmuar këta njerëz të kenë një të ardhme më të mirë. Kjo është ajo që na bashkon, të shohim njerëzit të jetojnë të lumtur dhe të lirë” – tha 24-vjeçari atëherë për revistën.

Por ministri i jashtëm i Rusisë, Sergery Lavrov kishte deklaruar se mercenarë nga Ballkani kanë shkuar të luftojnë për Ukrainën.

Në një intervistë për televizionin Russia Today, Lavrov thoshte se “kemi informacione që sugjerojnë se mercenarë nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnja po rekrutohen për tu dërguar në zonën e Donbass”.

Pas deklaratës së Lavrov, reagoi edhe Tirana zyrtare që thirri ambasadorin rus në Tiranë të cilit i kërkoi që deklarata të përgënjeshtrohej.

“MEPJ hedh poshtë kategorikisht pretendimet e publikuara sot në agjencinë e lajmeve ruse TAS dhe dyshimet e ngritura nga Ministri i Jashtëm Rus, Sergei Lavrov, për praninë e “mercenarëve shqiptarë” në Ukrainë. Në shenjë proteste është thërritur Ambasadori i Federatës Ruse të cilit i është kërkuar përgënjeshtrimi i lajmit” – thuhet në njoftim.

Edhe vetê Bazanji ka reaguar pas deklaratës së ministrit Lavrov.

“Nuk më bën aspak përshtypje kjo deklaratë. Ka një muaj që televizionet ruse publikojnë foton time duke përdorur epitete të ndryshme. Unë nuk jam mercenar siç pretendon Rusia. Kam ardhur në Ukrainë përpara dy vitesh dhe jam pranuar në ushtrinë e Ukrainës përmes të gjithë procedurës, që atëherë dhe jo ditët e fundit” – tha Bazanji.