April 30, 2024
Maqedoni

Takimet me diasporën në Amerikë ministri Çupi i fillon në Staten Island, Nju Jork

Me rastin e ardhjes në vizitën e tij zyrtare si Ministër përgjegjës për diasporë, bashkëqytetari jonë, Dr.Sc. Xhemail Çupi, në SHBA, Shoqata Atdhetare Dibra organizon takimin të hapur me komunitetin dibran dhe Ministrin e Diasporës, thuhet në njoftimin e kësaj shoqate.

Takimi mbahet më 13 Mars, ora 12pm, në Hotel Hilton, Staten Island.

Ky takim ka për qëllim që ne si komunitet të kemi mundësi për të diskutuar pikat më të nevojshme që na interesojnë si Diasporë.

Më herët Ministria e Diasporës ka njoftuar se Ministri përgjegjës për diasporë Dr.Sc. Xhemail Çupi në programin e tij parasheh vizita dhe takime të rregullta me diasporën, gjegjësisht me organizatat, shoqatat, bashkësitë dhe unionet me prejardhje nga Republika e Maqedonisë së Veriut që operojnë jashtë kufijve të saj gjeografik. Qëllimi i këtyre takimeve është vendosja e bashkëpunimit të gjerë dhe efektiv në të gjitha lëmit e veprimtarive shoqërore si në zhvillimin socio-ekonomik, kulturor, ashtu edhe në zhvillimin dhe promovimin e potencialit njerëzor dhe mbi të gjitha ruajtjen e vlerave nacionale duke u bazuar në interes dhe besimi reciprok ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe diasporës. Takimin e parë zyrtar jashtë shtetit ministri Çupi do ta zhvillojë me diasporën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht në shtetin e Nju Jurkut. Andaj ju informojmë se prej datës 12 mars 2022 deri më datë 17 mars janë planifikuar një sërë takimesh zyrtare, por gjithashtu është planifikuar takim midis ministrit Çupi dhe organizatave aktive të diasporës dhe me përfaqësues të bizneseve si faktorë të rëndësishëm për projektet e mundshme në të ardhmen.