Dita e shtatë/ Luftime të ashpra në qytetet Kharkov dhe Zhytomyr
Në ditën e shtatë të agresionit rus ndaj Ukrainës luftime të ashpra në qytetet Kharkov, Zhytomyr, në para lagjet e Kievit dhe në zona tjera në lindje të vendit.
Në Kharkov ku është granatuar edhe ndërtesa e Bashkësisë njoftohet për më shumë se 20 viktima civile dhe mbi 120 të plagosur ndërkohë që numri i përgjithshëm i viktimave civile ka arritur në mbi 2 mijë që nga fillimi i luftimeve, shkruan Alsat.
Autoritetet ukrainase thanë se forcat qeveritare po u rezistojnë sulmeve ruse ndërsa Oleksiy Arestoviç Këshilltar i Zyrës së Presidentit, tha se forcat e Ukrainës për herë të parë kanë nisur një kundërofensivë.
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës bëri të ditur një bilancë të ri nga luftimet. Janë vrarë 5,480 ushtarë rusë, ndërsa janë shkatërruar 30 avionë, 31 helikopterë, 221 tanke, si dhe rreth 1000 mjete tjera të blinduar përfshirë edhe 9 sisteme kundërajrore.
Presidenti Zelensky edhe njëherë i bëri thirrje ushtarëve rus që të refuzojnë urdhrat e eprorëve të tyre dhe të kthehen në Rusi.
Volodymyr Zelensky, President i Ukrainës “Nënat ruse po humbasin fëmijët e tyre në një vend të huaj absolut për ta. Mendoni për këtë numër, pothuajse 6000 ushtarë rusë u vranë”.
Njësitë elitare paraushtarake çeçene u përpoqën të vrisnin presidentin ukrainas, Zelensky, por sipas zyrtarëve, sulmi tyre është zmbrapsur nga forcat elitare ukrainase.
Beteja kryesore pritet të zhvillohet në Kiev bazuar në deklaratën e kryetarit të qytetit, Vitalij Kliçko. Ai paralajmëroi banorët se forcat ruse po përparojnë në kryeqytetin e Ukrainës, dhe u ka kërkuar njerëzve të mos dalin nga shtëpitë dhe të përgatiten për të mbrojtur qytetin.
Vitalij Kliçko, Kryetar i Kievit “Forcat ruse po afrohen gjithnjë e më shumë pranë nesh. Ne po përgatitemi dhe do të mbrojmë Kievin! Unë u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të rezistojnë”
Një kolonë ushtarake ruse prej 64 kilometrave është duke lëvizur drejt Kievit dhe kjo ka nxitur frikë për që mund të ketë pasoja të parapara deri më tani në fushën e betejës. Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi pamje nga helikopterët ushtarak që shoqërojnë kolonën e automjeteve ushtarake ruse.
Presidenca ukrainase njoftoi se më 4 mars, të dyja dhomat e Parlamentit rus do të mbajnë takime të jashtëzakonshme duke mos përjashtuar edhe miratimin e gjendjes së luftës, si masë parandaluese. Një gjendje e tillë i mundëson Putinit ndalesë totale në marshe, shkëputje nga bota e jashtme dhe kufizime financiare. Vendimi mund të merret për shkak të rritjes së pakënaqësisë në radhët e rusëve që kundërshtojnë pushtimin e Ukrainës.
Lideri i burgosur opozitar i Rusisë, Aleksei Navalny ka bërë thirrje për protesta ditore duke thënë se Rusia nuk mund të bëhet “komb i njerëzve të frikësuar dhe të heshtur”./ Alsat.mk