Forcat ruse bombardojnë edhe spitalet – Mbrëmë u sulmua materniteti në Zhytomir
Në shënjestër të sulmeve ajrore ruse janë edhe Qendrat Spitalore të Ukrainës. Mbrëmjen e kaluar me disa raketa është goditur spitali i qytetit Zhytomir, përkatësisht materniteti i spitalit, shkruan Alsat.
Kreu i këtij qytetit, Sergey Sukhomlyn përmes një video të publikuar në rrjetet sociale tha se dy persona kanë humbur jetën dhe 16 janë plagosur.
“Tani sapo, një bombë ajrore goditi një ndërtesë banimi pranë spitalit tonë të dytë në rrugën Saburov. Kishte disa bomba. Ndërtesa u shkatërrua. Dyert dhe dritaret e spitalit ishin hedhur në erë të gjitha”, tha Sergey Sukhomlyn, kryetari i qytetit Zhytomyr.
Ndërkohë gjatë ditës të punësuarit në Centralin Bërthamorë “Zaporozhye” të mbështetur edhe nga banorët e zonës kanë dalë në pritë të ushtrisë ruse për të bllokuar depërtimin e tyre në central. Mijëra persona kanë vendosur postblloqe dhe kanë bllokuar rrugët që çojnë në drejtim të centralit, ndërsa janë sistemuar edhe makineri të rënda.
Rezistencë e tillë është parë edhe nëpër rrugët e qyteteve tjera, ku ushtria ruse po frekuenton me trupa ushtarak dhe artileri të rëndë. Qytetarët dëgjohen duke i kërkuar atyre të largohen nga toka e Ukrainës.
Inteligjenca ukrainase gjatë ditë ka arrestuar dy grupe sabotatorë nga Rusia dhe Bjellorusia. Në grupin e parë u kapën disa parashutistë, ndërsa në grupin e dytë shtetas rus dhe bjellorus të cilët dyshohen të jenë agjentë nga të dyja vendet dhe që dyshohen se kishin për qëllim sulme në metrotë ku janë evakuuar qytetarë ukrainas.
Mediat vendase dhe ato ndërkombëtarë kanë publikuar pamje nga humbjet e ushtrisë ruse, të zëna në pritë nga qytetarët dhe forcat e armatosura ukrainase. Në raportimet ndërkombëtare potencohet efekti pozitiv i gueriles dhe hamendja e forcave ruse si pasojë e ndryshimit të tabelave rrugore.
Qytetarët kanë denoncuar edhe dorëzimin e forcave ruse si pasojë e mungesës së ushqimit. Një ushtarë rus u kap sot në periferi te Kievit, ndërsa qytetarët i ofrojnë ushqim dhe i mundësojnë një komunikim me nënën e tij, teksa ai shihet me lot në sy./ Alsat.mk