Maqedoni

Alsat: Këshilli Gjyqësor me procedurë disiplinore për bashkëshortin e Teuta Arifit

Këshilli Gjyqësor është duke zhvilluar procedurë disiplinore për gjykatësin suprem Shpend Devaja për kryerje jo- profesionale dhe jo-përgjegjëse të detyrës mëson Alsat. Sipas informacioneve, gjykatësi Devaja ka punuar në një lëndë si gjykatës, edhe pse më herët lëndën e njëjtë e ka përfaqësuar si avokat, shkruan Alsat.

“Këshilli Gjyqësor zhvillon procedura për vërtetimin e përgjegjësi për veprim jo-profesional dhe jo-përgjegjëse të gjykatësve nga më shumë gjykata”, thonë nga Këshilli Gjyqësor

A bëhet fjalë për gjykatësin Shpend Devaja?

“Këshilli Gjyqësor nuk guxon të zbuloj identitet të gjykatësve për punën e të cilëve vërtetohet përgjegjësia”, thonë nga Këshilli Gjyqësor

Gjykatësi Devaja në ndërkohë, sot në mënyrë publike u promovua si kryetar i ri i Trupit këshillëdhënës për etikë gjyqësore pranë Shoqatës së gjykatësve.

“Kjo përbërje e re, së bashku me të gjithë ju dhe të gjithë gjykatësit, do të kontribuojë për të sjellë gjithnjë e më shumë mendime me të cilat në një farë mënyre do t’i pastrojmë dilemat morale që kemi”, tha Shpend Devaja, Gjykatës suprem

Pyetëm Devajën nëse e dinte që ndaj tij po zhvillohet procedurë disiplinore? E pyetëm edhe nëse ishin të sakta informacionet se ai në periudhën e kaluar ka vepruar në një lëndë në Gjykatën Supreme, ndërsa më parë në të njëjtën lëndë ka punuar si avokat?

“Nuk e di, nuk e di. Nuk kam informatë të tillë”, tha Shpend Devaja, gjykatës suprem

Procedura në Këshillin Gjyqësor zhvillohet pas ankesës së avokatëve. Në të thuhet se Devaja si kryetar i Këshillit të gjykatësve në Supreme është dashur të largohet nga rasti, por ai ka vazhduar të gjykojë. Ndryshe, për rastin në fjalë është dhënë aktgjykim në vitin 2007 në procedurë civile në Gjykatën e Tetovës. Devaja në atë kohë ka qenë avokat i paditësit. Në vitin 2013, Devaja direkt u bë gjykatës suprem pa i kaluar nivelet e kërkuara që fillimisht të ketë gjykuar në Gjykatën Themelore dhe më pas në Gjykatën e Apelit. Devaja është bashkëshorti i ish kryetares së Tetovës, Teuta Arifi nga BDI, e cila ishte në pozitë kur bashkëshorti i saj nga avokati u bë gjykatës suprem. /Alsat.mk