Kacarska: Nuk është larg bllokimi i Gjykatës Kushtetuese
– Me skadimin e mandatit në fillim të dhjetorit të këtij viti të gjykatëses Vangelina Markudova, do të ndodh bllokadë të Gjykatës kushtetuese dhe me këtë definitivisht autoriteti i Republikës së Maqedonisë së veriut do të shkelet maksimalisht edhe para opinionit ndërkombëtar, deklaroi kryetarja e Gjykatës kushtetuese, Dobrilla Kacarska para fillimit të debatit me temë “Roli i Gjykatës kushtetuese në mbrojtje të së drejtës së mjedisit të shëndoshë jetësor”.
Kacarska thotë se në këtë rast nuk do të mund të mbajnë seanca dhe edhe një herë potencoi se sjellja e deputetëve është joserioze.
“Disa herë km thënë se sjellja e tillë e deputetëve është joserioze. Si të mos e kuptojnë rolin e Gjykatës kushtetuese. Ashtu në kohë të fundit ia parashtroj vetvetes pyetjen nëse ndoshta dikujt i përgjigjet që Gjykata kushtetuese të jetë në situatë të tillë”, thotë Kacarska.
Në pajtim me Rregulloren, sqaroi ajo, kanë kompetenca të punojë edhe me pesë gjykatës. Ajo thotë se është mjaftueshëm të jenë të pranishëm vetëm pesë gjykatës që të mbahet seanca. Megjithatë, potencoi, pesha e vendimeve të cilat i marrin madje edhe ato të cilat merren njëzëri me pesë vota “për”, është megjithatë më ndryshe në krahasim nëse për atë vendim kanë diskutuar të gjithë nëntë gjykatësit.
“Jo kot Kushtetuta parasheh nëntë gjykatës për ta përbërë Gjykatën kushtetuese. Ka shumë lëndë të rëndësishme në këtë shtet dhe jo serioze do të ishte për ato lëndë të vendosim vetëm pesë gjykatës. Ne mund të vendosim për të gjitha lëndët, për fat nuk kemi lëndë për të cilën na duhet shumicë prej dy të tretave, por, të paktën vetëm pesë gjykatës duhet të diskutojmë për dekretet për Marrëveshjen e Prespës, për Ligjin për përdorimin e gjuhëve ku kushtetutshmëria është e kontestueshme jo vetëm në dekrete, por edhe në ligjet në tërësi. Jo serioze do të ishte ne pesë gjykatësit të sjellim vendim i cili është aq i rëndësishëm për qytetarët dhe për të ardhmen e këtij shteti”, theksoi Kacarska.
Kryetarja e Gjykatës kushtetuese thotë se kompetenca e vetme që e kanë është që të drejtohen me shkrim deri tek kryetari i Kuvendit para skadimit të mandatit të disave nga gjykatësit. Përkujtoi se që në muajin prill të vitit të kaluar kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi është informuar se tre gjykatësve u skadon mandati. Më pas edhe në nëntor, Kacarska ka dërguar letër tek Xhaferi me të cilën e ka informuar se njërit prej gjykatësve i mbaron mandati më 14 janar, por ka dërguar edhe letër me apel që të gjindet mënyrë që të zgjidhen këto katër gjykatës.