LAJMEIkja masive e fuqisë punëtore, ekspertët alarmojnë për pasoja në ekonominë e Maqedonisë, kritkon dhe BE-ja
Maqedonia e Veriut është larg vlerave evropiane kur është në pyetje politika sociale dhe punësimi. Rregullat sociale të vende të BE-së përfshijnë standardet minimale për ligjin e punës, barazinë, shëndetin dhe sigurinë në punë si dhe mos-diskriminimin. Në mungesë të këtyre kushteve, qindra mijëra shtetas të RMV-së kanë braktisur vendin gjatë viteve të fundit. Përderisa të rinjtë vazhdojnë të shprehin dëshirë për t’u larguar drejt BE-se, ekspertët alarmojnë se ikja e trurit do ti kushtojë shumë ekonomisë së vendit, shkruan Portalb.mk.
“Pa asnjë dyshim do isha larguar në ndonjë vend të BE-së nëse do më jepej mundësia. Mendoj një këtë mënyrë për disa arsye ndër të cilat është edhe avancimi im profesional. Mendoj se kontakti me njerëz nga vendet e zhvilluara të BE-së do më ndihmonte shumë në zhvillimin e karrierës sime. Pra kushtet e punës dhe jetës, siguria dhe mundësitë që të ofrohen në perëndim nuk krahasohen me mundësitë tejet të kufizuara në Maqedoni”, u shpreh Diellza Qerimi, studente e shkencave kompjuterike.
“Nëse do te kisha një mundësi punësimi do të isha larguar nga Maqedonia e Veriut. Edhe pse në ditët e sotme në profesionin tim janë krijuar mjaft mundësi, përsëri do të kisha zgjedhur të largohem në Evropë për arsye të standardit të jetesës, profesionalizmit, mundësive dhe hapësirave që të ofrohen në vendet evropiane“, tha Meriton Ademi, student i shkencave kompjuterike.
“Para 5 muajve do të thoja se nuk do largohesha nga Maqedonia, se do rrija dhe do kontribuoja në vendin tim aq sa mundem. Megjithatë, para 5 muajsh mu dha mundësia që të jem pjesë e programit Erasmus dhe tani jam në gjendje ta bëj dallimin e jetës në vendin tonë dhe një vend më të zhvilluar. Nga eksperienca që fitova brenda një semestri, si profesionale por edhe sociale e personale, e ndryshova bindjen që kisha dhe mendoj që në mundësinë e parë që do më jepej do largohesha nga Maqedonia. Mundem të them se dëshira e të rinjve për tu larguar po rritet çdo ditë e më shumë, mbase ky është gabim sepse mendoj se ne jemi ndryshimi dhe duhet të luftojmë për ndryshim në vendin tonë”, deklaroi Vjosa Reçi, studente e mjekësisë.
Mundësitë e kufizuara për punësim, politikat e dobëta sociale, kushtet jo-të të mira të punës dhe mungesa e perspektives për progres janë vetëm disa nga arsyet pse një numër i madh i të rinjve vendos të largohet nga vendi. Një studim i MOF tregon se dy të tretat e të rinjve (64.8%) në vend janë të pakënaqur me vendin e tyre në shoqëri. Studimi tregon se 58% e të rinjve do të largoheshin nëse u jepej mundësia, nga kjo përqindje vetëm 6.9% të rinj kanë thënë se do të ktheheshin në vend. Ndërkohë, të dhënat e EUROSTAT tregojnë se vetëm gjatë vitit 2019 vendet anëtare të BE-së kanë aprovuar leje qëndrimi për 220 879 qytetarë të Maqedonisë së Veriut.
RMV ndër vendet më të prekura në botë nga fenomeni i “ikjes së trurit”
Ekspertët alarmojnë se ikja masive e fuqisë punëtore, sidomos të rinjve do të ketë pasoja shumë të rënda në ekonominë e vendit.
“Në pamje te parë statistikat zyrtare sugjerojnë një trend të rënies të papunësisë pas 2006-tës, por shkalla e papunësisë është ende shumë e lartë, duke arritur në 16.4% në vitin 2020. Megjithatë, rritja e përqindjes së personave joaktive në tregun e punës dhe pothuajse mos ndryshimi i përqindjes së të punësuarve për vitin 2020, sugjeron që kjo ulje e papunësisë është “joreale”, pra i atribuohet ikjes masive të popullatës, veçanërisht të rinjve. Një fenomen tepër alarmant që besoj do të ketë pasoja afatgjate negative për ekonominë e Maqedonisë së Veriut është “brain drain”-migrimi masiv i fuqisë punëtore të kualifikuar. Sipas të dhënave nga Raporti i Konkurrencës Globale për vitin 2020, publikuar nga Forumit Ekonomik Botëror, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Kroacia renditen ndër vendet më të prekura nga ikja e trurit në nivel global. Fenomeni i ikjes së trurit do ta bëjë transformimin strukturor të ekonomisë edhe më të vështirë, veçanërisht në sektorët me produktivitetit të lartë. Duke pasur parasysh strukturën aktuale të ekonomisë, stokun e pamjaftueshëm të kapitalit fizik dhe ´ erozionin´ e kapitalit human për shkak të ikjes së trurit, tregu i punës në Maqedoninë e Veriut nuk do të jete në gjendje të krijojë vende pune të mjaftueshme dhe si rrjedhoje do te përkeqësohet problem i papunësisë dhe potenciali për rritje ekonomike i vendit”, u shpreh për Portalb.mk Arbresh Raveni, eksperte e ekonomisë.
Raveni shpjegon se papunësia është një ndër sfidat kryesore të ekonomisë së vendit për disa arsye.
“Papunësia është një nga problemet kryesore ekonomike. Një nivel i lartë i papunësisë ka pasoja për ekonominë sepse një nga faktorët kryesore të prodhimit-kapitali human- nuk shfrytëzohet në mënyrë eficiente dhe kjo frenon ekonominë për të arritur potencialin e saj prodhues. Papunësia e lartë është barre financiare për qeverinë dhe rezulton në të ardhura më të ulëta buxhetore. Papunësia afatgjate shkakton zhvlerësimin e kapitalit human, njohuritë/ aftësitë e personave behën të papërdorshme dhe sa më gjatë që një person është i papunë aq më i ulët është probabiliteti për tu punësuar në të ardhmen. Papunësia e lartë ka edhe kosto sociale si rritja e dukurive negative si kriminaliteti, vjedhja; personat e papunë bëhen asocial dhe humbin respektin për veten; si dhe keqësimi i shëndetit mental dhe fizik të papunëve që i kushton shoqërisë shpenzime shtesë për shëndetësi”, deklaroi Arbresh Raveni.
Tregu në vendin tonë vuan nga një numër i lartë problemesh me natyra të ndryshme, të cilat duhet të zgjidhen sa më shpejtë që është e mundur.
“Maqedonia e Veriut vuan nga një treg i ngurtë i punës me probleme strukturore që duhen adresuar: papunësi e lartë dhe e vazhdueshme strukturore; mungesa e aftësive që kërkohen në tregun e punës (skill shortages), mospërputhje e aftësive që kërkohen dhe ofrohen ne treg (skill mismatches), ikja e trurit (brain drain), diskriminimi i vazhdueshëm në tregun e punës, ekonomia e lartë informale dhe taksim joadekuat i punës. Në veçanti, punëtorët me kualifikim të ulët, veçanërisht, gratë, të rinjtë, punëtorët e moshuar, pakicat etnike dhe njerëzit nga rajonet më pak të zhvilluara janë kategoritë që vuajnë me se shumti nga shkalla e lartë e papunësisë”, shtoi Arbresh Raevni.
MPPS thotë se ka ‘qasje sistematike për zgjidhjen e problemeve’
Edhe përkundër faktit se viteve të fundit qindra të rinj janë larguar nga vendi, ndërkohë dhe ato që janë këtu pretendojnë të largohen, nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS), thonë se ata kanë zhvilluar një qasje sistematike për zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohen të rinjtë, përmes zbatimit të politikave të punësimit dhe miratimit të ligjeve të veçanta. Ndryshe nga analistët dhe ekspertë të fushës të cilët uljen e shkallës së papunësisë e argumentojnë me faktin se fuqia punëtore po migron në mënyrë masive nga vendi, nga ky institucion uljen e shkallës së papunësisë së të rinjve e vlerësojnë si sukses të programeve dhe politikave socio-ekonomike të krijuara nga Qeveria.
“Si politika cilësore mundet të theksohen: (1)Plani operativ për programe dhe masa aktive për punësim: Në vitin 2021, mbulimi total i personave me programet/masat e punësimit nga Plani operativ i Punësimit ishte 11,292 persona të papunë. Nga numri i përgjithshëm i të papunëve të përfshirë nga ky program për vitin 2021, 66% i referohen të rinjve deri në 29 vjet, që në fakt tregon përkushtimin e Qeverisë së RMV për gjithë përfshirje sa më të madhe të të rinjve dhe kyçjen e tyre në tregun e punës.
(2) Garancia rinore: në periudhë prej katër muajsh nga data e regjistrimit në Agjencinë për Punësim synon t’u sigurojë të rinjve (15-29 vjeç) ofertë cilësore për punësim, vazhdimin e edukimit dhe trajnimeve ose praktikë. Që nga fillimi i zbatimit të garancisë rinore, në vazhdimësi është realizuar dhe tejkaluar mbulimi i planifikuar i të rinjve. Në vitin 2021, gjithsej 6787 të rinj deri në 29 vjeç janë punësuar përmes kësaj politike.
(3) Shtesat rinore: Në fillim të vitit 2020 u miratua Ligji i posaçëm për shtesën e të rinjve, me të cilin parashihej kompensimi prej 3000 denarë për person në muaj për punë me orar të plotë. Kompensimi i paguhet çdo të riu deri në 23 vjeç, i cili pas mbarimit të shkollës së mesme, punësohet në prodhimtari.
(4) Ligji për praktikën: rregullon të drejtat dhe detyrimet e praktikantit dhe punëdhënësit dhe ofron përfitime për të dyja palët. Praktika ofrohet me shpallje publike dhe mund të zgjasë nga 1 deri në 6 muaj me lidhjen e kontratës së praktikës.
(5) Ligji për pjesëmarrjen e të rinjve dhe politikat rinore: objekt i rregullimit të këtij ligji janë format e organizimit rinor, pjesëmarrja e të rinjve në procesin e krijimit të politikave rinore. Qëllimi i këtij ligji është të sigurojë: krijimin dhe zbatimin e politikës rinore në të gjitha nivelet përmes një qasjeje shumë-sektoriale, duke u nisur nga nevojat dhe interesat e të rinjve”, bëjnë të ditur për Portalb.mk, nga Ministria e Punës.
Ulja e shkallës së papunësisë është një nga sfidat kryesore me të cilat përballet Qeveria në vendin tonë. Nga MPPS thonë se Qeveria përpiqet që normën e papunësisë ta trajtojë në mënyrë intervenuese dhe strategjike në periudhë afat të gjatë.
“Qeveria e RMV-së realizon menaxhimin strategjik të papunësisë duke krijuar dokumente strategjike si: Strategjia Kombëtare e Punësimit 2021-2027 me Planin e Veprimit të Punësimit 2021-2023 – ku parashikohet që deri në vitin 2023 të përmirësohet cilësia e rezultateve në të gjitha niveleve, të forcohet roli i politikave për zhvillimin e ekonomisë dhe sipërmarrjeve në krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës dhe forcimi i përfshirjes së politikave të tregut të punës. Strategjia për formalizmin e ekonomisë informale në Republikën e Maqedonisë 2018-2022 – qëllimi i përgjithshëm i kësaj strategjie është krijimi i një sistemi gjithëpërfshirës dhe konsistent për reduktimin efektiv të punonjësve informalë, subjekteve të biznesit të paregjistruar dhe aktiviteteve joformale brenda kornizave të ekonomisë formale”, shtojnë nga Ministria e Punës.
RMV u kritikua në Raportin e KE-së në fushën e politikës sociale dhe punësimit
Në Raportin e përvitshëm të publikuar nga Komisioni Evropian, Maqedonia e Veriut mori kritika në fushën e politikës sociale dhe punësimit. Mes tjerash në kapitullin e 19 të raportit theksohet se shkalla e varfërisë në vend është shumë e lartë.
“Për sa i përket standardeve evropiane për politikën sociale dhe punësimin, vendi mbetet mesatarisht i përgatitur. Ka pasur disa përparime në periudhën e raportimit në zbatimin e një numri masash lehtësuese socio-ekonomike për të adresuar ndikimin e COVID-19 dhe rritjen e masës së përfitimeve të ndihmës sociale. Zbatimi i ligjit të ri për mbrojtjen sociale çoi në një ulje të lehtë të shkallës së varfërisë, e cila mbetet shqetësuese e lartë”, theksohet në Raportin e Progresit.
Raporti vlerëson se rekomandimet e vitit të kaluar nuk janë zbatuar plotësisht nga autoritetet relevante në Maqedoni, një pjesë e madhe e tyre rekomandohet të zbatohen gjatë këtij viti. Gjatë vitit 2022 vendi duhet në veçanti të ketë parasysh:
Të vazhdojë zbatimin e masave aktivizuese për personat e papunë, përfshirë këtu edhe gratë, personat me aftësi të kufizuara dhe romët, dhe të sigurojë monitorimin dhe vlerësimin e duhur të masave të tilla.
Të përmirësojë kapacitetet e Inspektoratit Shtetëror të Punës për të trajtuar çështjet që lidhen me sigurinë në punë dhe të zbatojë një sistem për monitorimin e shfaqjes së lëndimeve dhe vdekjeve në punë; të përforcojë dialogun social dypalësh ndërmjet punëdhënësve dhe punëtorëve;
Vazhdimi i ofrimit të asistencës për të gjitha grupet vulnerabël dhe mbështetjes dhe reformimit të sistemit të mbrojtjes sociale me lidhje më të forta si me masat e aktivizimit të punësimit ashtu edhe me përfshirjen sociale./Portalb.mk/