Maqedonia dhe Serbia nuk kanë vendosur sanskione ndaj Rusisë, reagon ambasadorja ukrainase
Ambasadorja e Ukrainës në Maqedoninë e Veriut, Natalia Zadorozhnyuk në Panel diskutimin e CIVIL-it në temë “Kriza ruso-ukrainase dhe Maqedonia e Veriut”, që u zhvillua më 9 shkurt, deklaroi se, në lidhje me konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës, Ukraina pret mbështetje të qartë dhe pa mëdyshje politike nga Maqedonia e Veriut por edhe që vendi ynë t’i bashkohet sanksioneve ekonomike kundër Rusisë që u vendosën nga Bashkimi Evropian (BE) në vitin 2014, pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
“Presim t’i bashkoheni sanksioneve të Bashkimit Evropian. Nuk mund të ulesh në dy karrige. Ka momente në jetë kur duhet të vendosësh vetë, së pari, në cilën anë të barrikadës je. Ukrainasit kanë përvojë negative shumë bindëse me neutralitetin. Nëse shkojmë në Bashkimin Evropian dhe NATO, nëse jemi pjesë e vlerave evropiane, atëherë e demonstrojmë atë jo vetëm me fjalë, por edhe me veprime dhe vepra”, tha ambasadorja ukrainase Zadorozhnyuk.
Përveç Maqedonisë së Veriut edhe Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.
Mbështetje politike nga vendi për Ukrainën ka
Sa i përket përkrahjes politike, ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Bujar Osmani, më 31 janar të këtij viti në takim me ambasadorin rus në Shkup, Sergej Bazdnikin e përsëriti pozicionin se Maqedonia e Veriut e respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.
Mbështetja politike për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës mbërriti disa ditë më vonë edhe nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili më 3 shkurt u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.
“E mbështesim propozimin e NATO-s për takime tematike me Rusinë për gjendjen e marrëdhënieve, sigurinë evropiane me fokus Ukrainën, transparencën, uljen e rrezikut dhe kontrollin e armëve. E mbështesim plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”, deklaroi kryeministri Kovaçevski.
Sanksione ekonomike nga vendi ndaj Rusisë nuk ka
Megjithatë, prej vitesh vendi nuk iu ka bashkuar sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Evropian pas aneksimit të paligjshëm, nga Rusia, të gadishullit të Krimesë, i cili ndodhet në territorin ukrainas. Maqedonia në vitin 2014 nuk iu bashkua sanksioneve të BE-së pas aneksimit të Krimesë dhe që atëherë nuk kemi marrë vendim të ri, ndërsa në fund të vitit 2020 për këtë temë ka shkruar Radio Evropa e Lirë në gjuhën maqedonase.
Ish-kryeministri Zoran Zaev në një deklaratë më 30 dhjetor 2020 shpjegoi se Maqedonia e Veriut nuk iu ka bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, sepse vendi ka interes serioz për bashkëpunim ekonomik me Rusinë.
“Ne jemi vend kandidat për anëtarësim në BE, por nuk jemi anëtar. Është në interes të qytetarëve dhe shtetit, që nëse nuk duhet të bëjmë diçka, të mos e bëjmë. Përkundër gjithë asaj që thashë, ne nuk iu kemi bashkuar masave ekonomike ndaj Rusisë, sepse kemi interes serioz për bashkëpunim ekonomik me Rusinë. Ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe për ne nuk ka alternativë për BE-në, por vendi ynë ka interes të jetë mik me pjesën tjetër të botës”, tha atëherë kryeministri Zaev.
Ai shtoi se që nga viti 2016, vendi iu ka bashkuar të gjitha deklaratave, masave dhe sanksioneve të miratuara nga BE-ja, përfshirë ato kundër qytetarëve dhe personave juridikë rusë. Shkalla e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në qëndrimet, masat dhe deklaratat e BE-së, përkatësisht respektimi i tyre në fund të vitit 2020 ishte 94 për qind, ndërsa në vitin 2016 ishte 74 për qind.