A po e braktisin shqiptarët Ohrin? Aty u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit, por asgjë nuk frymon shqip
Në qytetin e Ohrit nëpër institucionet shtetërore nuk po përdoret gjuha shqipe, as tabelat nuk janë në shqip, madje nuk ka as shkollë të mesme shqipe. Profesori Osman Osmani thotë se si rezultat i kësaj, shumë qytetarë janë shpërngulur dhe se në krahasim nga e kaluara numri i nxënësve shqiptarë ka rënë dukshëm.
“Numri i nxënësve ishte shumë më i madh, kishte momente kur numri i kalonte 100, pra 3 ose 4 paralele në gjuhën shqipe që regjistroheshin, por me kalimin e kohës filloi edhe pakësimi i numrave të nxënësve dhe tani kemi 30 nxënës. Ndoshta shkak është shpërngulja jashtë trojeve për një jetë më të mirë. Pakësimi i lindjeve dhe elementi i egjiptianëve pas demonstrative të 81-shës kur filloi numri i nxënësve të pakohet shumica prej tyre u orientuan të mësojnë në gjuhën maqedonase, sigurisht aty kishte gisht edhe shteti”, tha Osman Osmani, profesor.
Banorët shqiptarë të Ohrit kanë insistuar prej kohësh që në gjimnazin e Ohrit të hapet ta paktën një paralele në gjuhën shqipe, por kanë hasur në vesh të shurdhur.
“Ishim një grup aktivistësh që kërkonim në shkollë një paralele të shkollës së mesme të Strugës të hapet edhe në Ohër, meqë kushtet ishin më përpara më të vështira, unë isha këmbëngulës në atë pikëpamje, por për disa punë duhet angazhim më të lartë, dhe ne nuk arritëm”, deklaroi Xheladin Emini – shkrimtar.
Esat Asllani shprehet i revoltuar se Marrëveshja e Ohrit nuk po realizohet në disa qytete ku ka shqiptarë.
“Të gjithë qytetarët janë të revoltuar nga ajo që ndodhi pas Marrëveshjes së Ohrit që kishim të drejta me mbi 20% shqiptarë, ajo nuk u realizua edhe nëpër qytet tjera Ohër, Resnjën, Prilepin na lan anësh, ka shqiptarë të mjaftueshëm dhe numër të mjaftueshëm por nuk na lanë ta kemi gjuhën zyrtare në nivel republikan”, tha Esat Asllani.
Sipas regjistrimit të vitit 2002 në Ohër jetonin 2,959 shqiptarë, por se sa kanë mbetur kjo mund të shihet në rezultatet e regjistrimit të vitit që lamë pas.