Zhvillimi i tregjeve financiare në funksion të zhvillimit të ekonomisë dhe vendeve të reja të punës
Shkruan: Fatmir Besimi, ministër i FinanCave në RMV
Financat janë sistemi i gjakut të ekonomisë – thonë shpesh ekonomistët, duke shpjeguar rëndësinë e sektorit financiar për rritjen ekonomike. Ashtu siç gjaku ushqen organet që ato të funksionojnë, ashtu edhe financat mundësojnë zbatimin e aktivitetit ekonomik. Prandaj, dispozicioni i financave lidhet me vitalitetin e ekonomisë, gjegjësisht me nivelin e aktivitetit ekonomik, dhe rrjedhimisht me rritjen e zhvillimit ekonomik. Kontributi i tregjeve financiare në zhvillimin ekonomik në historinë ekonomike është karakterizuar si “i rëndësishëm” nga Stieglitz, “vendimtar” nga Schumpeter, ndërsa për Miler ishte “shumë i qartë për t’u diskutuar”.
Që në fillim të mandatit tim si ministër i Financave, si objektiv të qartë për zhvillimin e ekonomisë sonë, theksoj përshpejtimin e rritjes ekonomike. Nëpërmjet normave të vazhdueshme më të larta të rritjes ekonomike, prej rreth 5% në vit, ne do të arrijmë zhvillimin e dëshiruar dhe të nevojshëm ekonomik dhe të ofrojmë një standard më të mirë jetese për qytetarët tanë.
Kemi një vizion dhe plan të qartë se si të arrijmë synimin. Bëhet fjalë për Planin e përshpejtimit të rritjes ekonomike, me të cilin propozojmë një strategji gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për rritje më të shpejtë dhe të qëndrueshme ekonomike.
Strategjia e re: mobilizimi i kapitalit për të përshpejtuar rritjen ekonomike
Në Planin për rritje të përshpejtuar ekonomike vend jashtëzakonisht të rëndësishëm zë qasja në kapital, i cili do të financonte projekte në sektorin publik dhe privat, me qëllim të rritjes së investimeve të përgjithshme, përmirësimit të konkurrencës së ekonomisë dhe stimulimit të rritjes.
Me mobilizimin e kapitalit dhe shpërndarjen e tij në pozicione më produktive: projekte të reja, startup, kompani eksporti, ndërmarrje të vogla dhe të mesme, përkrahet aktiviteti ekonomik dhe nxitet rritja. Prandaj, zhvillimi i tregut të kapitalit do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në përshpejtimin e rritjes ekonomike.
Në këtë kontekst, Qeveria këtë javë me propozim të Ministrisë së Financave miratoi Strategjinë për zhvillimin e tregjeve financiare në vend, ku me zbatimin e së cilës presim krijimin e mundësive për financimin e projekteve të kompanive, rritjen e ofertës së instrumenteve për investim si dhe tërheqjen e investitorëve të huaj. Strategjia është përpiluar përmes një sistemi inkluziv të shkëmbimit të ideve dhe konsultimeve në kuadër të Këshillit për Zhvillimin e Tregut të Kapitalit, i udhëhequr nga Ministria e Financave, përfshirë edhe Ministrinë e Ekonomisë, Bankën Popullore të Maqedonisë së Veriut, Komisionin e Letrave me Vlerë, Depozitorin Qendror të Letrave me Vlerë, Agjencinë e Mbikëqyrjes së Sigurimeve, MAPAS, Bursën e Maqedonisë, Shoqatën e Bankave të Maqedonisë si dhe përfaqësues të fondeve investuese, përfaqësues të shoqërive pensionale të odave ekonomike dhe publikut të gjerë investues.
Strategjia synon të reflektojë dinamikën e tregun e kapitalit në nivelin e mesatares së BE-së. Shumë vende të zhvilluara ose që janë në zhvillim kanë strategji të tilla. Në vitet e fundit, strategji të tilla në Evropë janë miratuar nga Irlanda, Luksemburgu, Letonia, Hungaria, Sllovakia dhe Bullgaria.
Tregu rigid në një mjedis që ndryshon
Përpara se të shpjegoj Strategjinë për zhvillimin e tregjeve financiare, fillimisht do t’i referohem sektorit financiar në vendin tonë – për të dhënë një pasqyrë më të hollësishme të strukturës aktuale dhe më nga afër të shpjegohet nevoja esenciale për strategjinë e re të miratuar.
Ashtu sikurse në vendet e tjera në zhvillim edhe në vendin tonë, sektori financiar është i përqendruar në bankë, me treg të pazhvilluar të kapitalit, i cili buron nga historia e rregullimit ekonomik.
Bartësi kryesor i rritjes ekonomike është sektori bankar, ndërsa kreditë janë burimi kryesor i financimit për zhvillimin e kompanive. Mjetet e bankave në vitin 2020 përfaqësojnë 82.5% të aktiveve të përgjithshme të sektorit financiar. Mjetet e sistemit bankar rriten mesatarisht me 7%, ndërsa kreditë zënë pak më shumë se 50% të PBB-së së vendit, përkatësisht 56% në vitin 2020.
Aktivitetet e segmenteve të tjera të sistemit financiar, me përjashtim të fondeve të detyrueshme pensionale me financim kapital, janë mjaft modeste. Megjithatë, rritja mesatare vjetore në sektorin e sigurimeve është 9% në vit dhe 28% në fondet e investimeve, gjë që tregon rritje të kërkesës për produkte të institucioneve financiare jobankare.
Tregu i aksioneve në Maqedoninë e Veriut karakterizohet me përqendrim të theksuar të qarkullimit të disa aksioneve, treg primar të pazhvilluar dhe mungesë të investitorëve të huaj. Bursa e Maqedonisë SHA Shkup, sikurse edhe bursat tjera në rajon është produkt i transformimit të ekonomisë në ekonomi tregu. Periudha e shkurtër gjatë zgjerimit ekonomik global dhe rajonal në periudhën 2005-2007, Bursa përjetoi një bum, pra qarkullimi i tregtimit klasik në bursë në vitin 2005 ishte rreth 109 milionë euro, vitin e ardhshëm u rrit në 177 milionë euro, për të arritur maksimumin prej rreth 497 milionë euro në vitin 2007 (qarkullimi total atë vit i kaloi 680 milionë euro), ku pasoi kriza globale financiare dhe ekonomike e cila rezultoi me një ulje drastike. Nga viti 2012 e në vazhdim, qarkullimi i Bursës regjistroi ngritje dhe rënie, me qarkullimin më të lartë vitin e kaluar, 2021 me një qarkullim prej 209 milionë eurosh, ndërsa kriza 2020 u mbyll me një qarkullim prej rreth 133 milionë euro. Ndryshe nga bumi i shkurtër i bursës, tregu primar i kapitalit në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk pësoi një zgjerim të veçantë. Emetimet e reja të aksioneve nga shoqëritë aksionare ekzistuese zakonisht zbatohen në formën e plasmanëve privat dhe shumë më rrallë si oferta publike.
Nga aspekti i strukturës së investitorëve, mund të thuhet se interesimi i investitorëve të huaj për tregun tonë është i papërfillshëm. Nëse shikohet përqindja e pjesëmarrjes së investitorëve të huaj në totalin e transaksioneve, vërehet një trend në rënie, përkatësisht 15%, 6% dhe 1.2% pjesëmarrje, respektivisht në transaksionet e përgjithshme për vitin 2018, 2019 dhe 2020. Gjithashtu, vërehet një trend i dukshëm i uljes së pjesëmarrjes së investitorëve të huaj në porositë e blerjeve dhe shitjeve, gjë që tregon për faktin se interesi në tregun tonë është në rënie, e rrjedhimisht edhe kapaciteti për të mobilizuar kapitalin e huaj.
Moment tjetër në strukturën e pjesëmarrësve në tregjet e kapitalit është dominimi i popullsisë së moshuar në këtë treg. Pra, në Depozitarin Qendror janë të regjistruara 60.907 llogari, nga të cilat rreth 84% iu përkasin personave mbi 50 vjeç, ndërsa vetëm 1.5% janë në pronësi të personave më të rinj se 30 vjeç. Kjo tregon një çekuilibër që është në kundërshtim me logjikën ekonomike për sa i përket preferencave të rrezikut, ku investitorët e rinj pritet që e pranojnë rrezikun ose që janë refuzues (risk-averse) ndaj të njëjtit.
Tregu i fletobligacioneve në Maqedoninë e Veriut karakterizohet me dominimin të letrave me vlerë të shtetit. Pjesëmarrës në këtë treg janë investitorët institucionalë, të cilët për shkak të likuiditetit të madh, kufizimeve rregullatore dhe ofertës së kufizuar të mundësive shtesë për investim në letrat e borxhi me vlerë të qeverisë, alokojnë shuma të mëdha fondesh. Nga ana tjetër, investimi i individëve në letrat me vlerë të borxhit të emetuara nga shteti është pothuajse inekzistent. Tregu sekondar është i pazhvilluar, kryesisht për shkak të dominimit të institucioneve financiare si kreditore të këtyre instrumenteve. Tregu i obligacioneve të korporatave është një segment shumë i vogël i tregut total të instrumenteve të borxhit, me 19 milionë euro fletobligacione të emetuara nga bankat për periudhën 2016-2020. Fletobligacionet komunale nuk emetohen.
Një trend i dukshëm që vështirë kualifikohet është interesi i rritur i investitorëve vendas për letrat me vlerë të huaja dhe veçanërisht për instrumentet e reja alternative siç janë kriptovalutat. Kjo tregon nevojën e rritjes së ofertës në tregun tonë me zgjidhje inovative për të tërhequr këtë kapacitet investues, por edhe përpjekje më intensive për edukimin e publikut të gjerë në njohjen e karakteristikave të mjeteve në të cilat ata investojnë.
Burimet alternative – ekzistojnë, nuk përdoren mjaftueshëm
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut në vitet e fundit nuk ka pasur progres të konsiderueshëm në organizimin e fondeve për financimin sipërmarrës apo zhvillimin e platformave me strukturim apo financim të grupit (crowdfunding).
Ekziston mundësia e lidhjes së kompanive që duan të mbledhin mjete dhe investitorëve që kërkojnë mundësi për investime sipërmarrëse në kompani në fazat e hershme të zhvillimit të tyre. Një mundësi e tillë ka qenë e disponueshme që nga viti 2016 kur Bursa e Maqedonisë në bashkëpunim me Bursën e Zagrebit përmes platformës rajonale të Evropës juglindore u kyç në platformën globale të mënyrës alternative për të mbledhur kapital shtesë për startup-et dhe transformimin e tyre potencial në kompani të përshtatshme për listim të ardhshëm në Bursë. Në këtë drejtim ka përpjekje nga disa grupe të individëve vendas, duke përfshirë edhe platformën për financimin e kreativitetit në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të bëra për zhvillimin e këtij segmenti, ai ende nuk mund të lidhet me disa suksese të mëdha.
Fondet me financim sipërmarrës janë të njohura në ekonominë vendase. Deri më sot funksionojnë disa fonde private, duke ndjekur parimet e organizimit të të ashtuquajturve “engjujt e biznesit”, megjithatë ata janë shumë të rrallë dhe me kushte të kufizuara teknike, operacionale dhe financiare për të pasur ndonjë ndikim në zhvillimin e këtij sektori dhe ekonomisë në përgjithësi.
Me Strategjinë për Zhvillimin e Tregjeve financiare deri në liberalizim, zgjidhje inovative dhe instrumente të reja
Nga ajo që u potencua më sipër, nevoja për dinamizimin e tregjeve financiare në vend është e padiskuteshme. Në kushtet e burimeve të kufizuara financiare, financimi i rritjes ekonomike duhet të rezultojë nga një alokim më efikas i mjeteve. Kjo nënkupton rritjen e mundësive për financimin e projekteve më me risk, të cilat nëse bankat (për shkak të kufizimeve objektive) nuk janë në gjendje t’i angazhojnë më intensivisht, përpjekjet zhvillimore duhet të drejtohen në segmente të tjera të tregjeve financiare që kanë zhvilluar mekanizma për këtë. Sa më i zhvilluar të jetë tregu nacional i kapitalit, aq më lehtë dhe më të suksesshme do të përballen kompanitë me çdo situatë të re, nuk do të varen vetëm nga financimi i bankave dhe do të forcojnë konkurrencën e tyre ndërkombëtare dhe mekanizmat për këtë.
Me Strategjinë kemi identifikuar katër drejtime strategjike, të cilat i kemi transformuar në qëllime dhe masa specifike (disa prej të cilave tashmë janë në përgatitje). Këto janë 1.) Rritja e pjesëmarrjes së investitorëve individualë dhe institucionalë duke rritur kërkesën për letra me vlerë të brendshme; 2.) Rritja e alternativave të investimit duke rritur ofertën e kapitalit dhe letrave me vlerë të borxhit, 3.) Përmirësimi i rregullores për harmonizimin me direktivat evropiane dhe 4.) Rritja e ndërgjegjësimit dhe edukimit financiar të sektorit të korporatave dhe amvisërive. Për sa i përket drejtimit të parë të veprimit të Strategjisë – stimulimi i kërkesës – parashikohet nxitja e rendimenteve më të larta si rezultat i masave për uljen e transaksioneve, informacionit dhe shpenzimeve tatimore. Gjithashtu, janë planifikuar ndryshime në kufizimet rregullatore për disponueshmërinë e informacionit të rëndësishëm krahas zgjerimit të portofolit të investimeve të investitorëve institucionalë vendas dhe të huaj si dhe përmirësimin e menaxhimit korporativ të kompanive të listuara në bursën tonë.
Për sa i përket rritjes së ofertës – parashikojmë emetimin e instrumenteve të reja nga shteti që janë pjesë e arritjes së synimeve të planit të rritjes së përshpejtuar por edhe do t’i shtojnë vlerë ofertës në tregun tonë të kapitalit dhe mënyrës së financimit të shtetit. Domethënë, përgatisim vendosjen e fletobligacioneve të zhvillimore, me inflacion, të gjelbra, projektuese dhe rajonale. Gjithashtu, parashikohet lehtësimi i procedurës, lehtësime dhe stimulime të konsiderueshme rregullatore dhe tatimore për rritjen e numrit të shoqërive të listuara në bursë dhe realizimin e ofertave publike fillestare, përfshirë kompanitë shtetërore, si dhe privatizimin e plotë ose të pjesshëm të tyre.
Ndryshimet në kornizën rregullatore synojnë rritjen e efikasitetit të funksionimit të organeve rregullatore, gjithëpërfshirjen si dhe përshtatjen e shpejtë në mjedisin në ndryshim dhe inovativ në sektorin financiar. Në këtë fushë, duke ndjekur praktikat e mira të vendeve të zhvilluara, lind nevoja e unifikimit të organeve rregullatore të institucioneve jobankare, me qëllim rritjen e kapaciteteve dhe efikasitetin operacional të tyre.
Parashikohen një numër i konsiderueshëm ndryshimesh ligjore dhe zgjidhje të reja ligjore për të lehtësuar funksionimin dhe arritjen e qëllimeve të parapara me strategjinë. Disa nga këto zgjidhje ligjore janë në përgatitje ose tashmë të përgatitura, si Ligji për Instrumentet Financiare, Ligji për Perspektivat dhe Transparencën, Ligji për Fondet e Investimeve, zgjidhjet ligjore në fushën e fondeve të investimeve alternative, Ligji për Shërbimet e Pagesave dhe Sistemet e Pagesave, Ligji për Shoqëritë Financiare, Ligji për Stabilitetin Financiar si dhe fillimi i përgatitjes së zgjidhjes ligjore për përdorimin dhe investimin në kriptovaluta. Këto zgjidhje të reja ligjore, përveç harmonizimit me praktikat e mira të vendosura të vendeve të zhvilluara dhe direktivat evropiane, ofrojnë edhe zgjidhje specifike për adresimin e mangësive të evidentuara.
Propozim ligji i ri për shërbimet e pagesave dhe sistemin e pagesave mundëson hyrjen në treg të institucioneve të reja, veçanërisht nga sektori “fintek” që ofrojnë shërbime pagesash përmes zgjidhjeve inovative dhe të dixhitalizuar, të cilat do të përforcojnë konkurrencën në treg për nga cilësia e shërbimeve dhe shpenzimeve. Po ashtu, ndikon edhe në uljen e qarkullimit sa i përket parave të gatshme, që do të thotë kontroll më i mirë dhe luftë më efektive kundër ekonomisë gri. Në të njëjtin drejtim, synohet hartimi i një ligji për kriptomonedhave që do të prezantojë marzhet e funksionimit, përdorimit dhe kontrollit të kriptomonedhave, si një produkt i ri financiar inovativ dhe perspektiva zhvillimore drejt mjeteve të pagesës së ardhmes.
Sektori financiar dhe instrumentet që i nënshtrohen përmirësimit dhe përshtatjes së vazhdueshme në përgjigje të nevojave të reja, kërkojnë njohjen e mirë të tyre nga publiku investues. Për këtë qëllim dhe angazhimi i fundit strategjik i përcaktuar janë masat në favor të avancimit të ndërgjegjësimit dhe edukimit financiar të publikut. Parashikohen programe të ndryshme për ngritjen e kapaciteteve, si krijimi i një organi ndërinstitucional për zbatimin e aktiviteteve për rritjen e nivelit të edukimit financiar, si dhe zbatimi afatgjatë i programeve gjithëpërfshirëse me fokus të veçantë tek të rinjtë me qëllim nxitjen e tyre, pjesëmarrjen në tregun e kapitalit.
Sfidat dhe perspektivat
Kompleksiteti, shpejtësia e ndryshimit, rritja e integrimit ndërkombëtar dhe dixhitalizimi i përshpejtuar i tregjeve të kapitalit sjell përveç përfitimeve, por edhe shumë sfida. Përhapja e goditjeve nga tregjet ndërkombëtare të kapitalit, vështirësitë rregullatore si dhe mbrojtja nga sulmet kibernetike dhe privatësia janë vetëm disa nga rreziqet me të cilat përballen tregjet. Kjo tregon nevojën për rritjen e kapaciteteve dhe gatishmërisë së institucioneve shtetërore dhe joshtetërore në parandalimin dhe menaxhimin e këtyre rreziqeve.
Megjithatë, përfitimet për ekonominë nga liberalizimi i tregut dhe mobilizimi i aseteve janë të mëdha. Diversifikimi i burimeve të financimit për ndërmarrjet, sigurimi i qasjes në instrumente që do të jenë në favor të politikave të menaxhimit të rrezikut, rritja e më shumë alternativave investuese për publikun, tërheqja e fondeve të reja të reja të rëndësishme të investimeve do të kontribuojë në qëllimet e përshpejtimit të rritjes, rritjes së punësimit dhe përmirësimit të standardet e jetesës së qytetarëve.
Qasja koordinuese institucionale, gjithëpërfshirja dhe harmonizimi me trendet botërore që na udhëheqin në konceptimin e zgjidhjeve të ofruara nga kjo strategji si dhe angazhimi i shtuar i Ministrisë së Financave në realizimin e këtyre synimeve do të njihet dhe reflektohet nëpërmjet rritjes së besimit në tregjet financiare dhe ndikimin e plotë të potencialit të tyre në ekonomi.