Profesoresha Teuta Gjuladin-Hellon: Vaksina më e mirë është e para që e keni në dispozicion
Për më shumë se një vit bota, Evropa dhe ne jetojmë me Kovid-19. Të mbyllur, të frikësuar, të hutuar, ekonomikisht të rraskapitur, dhe me mijëra – edhe të sëmurë edhe të vdekur. Që nga vet fillimi i pandemisë, mjekësia dhe farmakologjia botërore bëjnë përpjekje të gjejnë zgjidhje për situatën e rënë. Ajo që të gjithë e llogarisin si zgjidhje dhe si dritë në fund të tunelit është imunizimi. Nga dhjetori i vitit të kaluar ka filluar aplikimi i vaksinave të para, ndërsa më të shpejtët (apo më të guximshmit) në zbatimin e tyre ishin autoritetet e Britanisë së Madhe.
Atje jeton dhe punon qytetarja e Ohrit dr. Teuta Gjuladin-Hellon, e cila është profesoreshë e Fakultetit të mjekësisë pranë Universitetit të Central Lancashire, ku e ligjëron dhe udhëheq lëndën e Mjekësisë së bazuar në dëshmi (Evidence-based-Medicine), që, mes tjerash, përfshinë edhe aspekte nga shëndeti publik dhe epidemiologjia. Me të folëm për atë se si arritën britanikët që në disa javët e fundit t’i zvogëlojnë numrat e rasteve të reja dhe të vdekjeve në mënyrë drastike, si dhe njohuritë për llojet e ndryshme të vaksinave.
Në dy-tre muajt e fundit gjendja epidemiologjike në Britani të Madhe u përmirësua dukshëm: nga pothuajse 60.000 të infektuar të rinj dhe më shumë se 1000 raste vdekjeje në ditë, në disa qindra raste të reja dhe 20, 30 ose 40 raste me përfundim fatal. Duke pasur parasysh nivelin e imunizimit të deritanishëm, prej rreth 30 milion të vaksinuar, a mund të konsiderohet ky vend është përfundimisht në rrugë për ta vënë nën kontroll Kovid-19, apo akoma është i mundur kthimi i gjendjes së janarit?
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara në coronavirus.data.gov.uk, numri më i lartë i regjistruar i të sapo infektuarve u regjistrua në 29 dhjetor 2020 dhe ishte 81.750. Siç pritej, më 19 janar 2021, numri i rasteve të vdekjeve arriti shifrën rekorde prej 1.362, me një mesatare shtatë ditore prej 1.284. Më 5 janar, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar miratoi masa të rrepta ndaluese që ndalonin udhëtimet jo-thelbësore, përzierjen e dy amvisërive edhe në ambient të hapur, funksionimin e restoranteve, bareve, palestrave, parukerive, qendrave tregtare dhe dyqaneve jo-thelbësore. Punonin vetëm shitoret ushqimore, barnatoret dhe ato që ishin të patjetërsueshme për funksionim normal të jetës. Mësimi zhvillohej virtualisht për të gjitha moshat, ndërsa ishte e lejuar një shëtitje e shkurtër në afërsi të shtëpisë. Sigurisht që masat e njëpasnjëshme kishin rezultate, pasi shifra zyrtare e 2 prillit për të infektuarit e rinj ishte rreth 3.400 dhe 52 raste vdekjeje. Vlera numrit R për momentin lëviz mes 0.7-0.9, që do të thotë se dhjetë pozitivë mesatarisht do të infektonin rreth shtatë deri nëntë persona. Paralelisht me këto masa, filloi programi i imunizimit masiv, i cili u krye sipas kritereve të përcaktuara në mënyrë rigoroze, përkatësisht sipas grupmoshave dhe lëndueshmërisë/rrezikimit. Deri tani, më shumë se 31 milion njerëz kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër virusit korona, ndërsa pothuajse pesë milion kanë marrë dozën e dytë. Plani ambicioz i qeverisë parashikon vaksinimin me të paktën një dozë të të gjithë popullsisë së rritur deri në fund të korrikut të vitit 2021. Vetëm për ta ilustruar këtë përcaktim, unë do të përmendja rreth 850.000 vaksina të aplikuara në 21 Mars. Por dalja nga mbyllja është proces shumë më i komplikuar, duke pasur parasysh përvojat e mëparshme, polemikat dhe kritikat drejtuar qeverisë, si dhe faktin që një dozë e pranuar mjafton për mbrojtjen personale dhe imunitetin e tufës. Efektiviteti i të dy dozave të pranuara të vaksinës është shumë i lartë, për disa edhe më shumë se 95 përqind. Ky efektivitet në fakt do të thotë që njerëzit që kanë marrë vaksinën kanë një rrezik më të ulët prej 95 përqind për tu infektuar nga Kovid-19, në krahasim me grupin e kontrollit. Gjegjësisht, pa vaksinë, ne do të prisnim përafërsisht një përqind të popullsisë të marrë këtë sëmundje, ndërsa me vaksinë, ky rrezik zvogëlohet në 0.05 përqind. Me norma kaq të ulëta, vaksinat do të mundësojnë që shoqëria të kthehet në “normalitet” dhe të hiqen përgjithmonë masat kufizuese. Lehtësimi i masave pashmangshëm çon në ulje të perceptimit të rrezikut, ndërsa është e kuptueshme edhe dëshira për t’u kthyer në normale. Por kjo, nga ana tjetër, çon në zvogëlim të sjelljes së kujdesshme, rritje të numrin e ndërveprimeve, qoftë të jenë ato shoqërore apo në vendin e punës, veçanërisht në ambiente të mbyllura ku nuk ka mundësi të ruajtjes së distancës. Kjo rrit rrezikun e transmetimit të serishëm efikas të virusit dhe sjelljen e serishme të masave mbrojtëse në nivel kombëtar për të mbrojtur shëndetin publik. Prandaj, pavarësisht imunizimit të përshpejtuar dhe numrit e vogël të rasteve të vdekjes (vetëm dhjetë më 3 prill), qeveria britanike vendosi për lehtësim shumë të ngadaltë dhe gradual të masave kufizuese, të planifikuar në katër hapa të përcaktuar në mënyrë rigoroze: i pari që filloi më 29 mars, dhe deri te i katërti që do të zbatohej jo më herët se 21 qershor, nëse shifrat (incidenca dhe vdekshmëria) e lejojnë këtë. Sipas Kryeministrit Boris Xhonson, kjo qasje do të mundësojë “kthim të kujdesshëm por të pakthyeshëm të lirisë dhe se nuk do të ketë më mbyllje”. Këshilltari kryesor mjekësor për Anglinë, Profesor Chris Whitney, tha se Mbretëria e Bashkuar “do të duhet të mësojë të jetojë me virusin ashtu si me virusin e gripit, ndërsa alarmi do të ndizej vetëm në rast të shfaqjes së një lloji i ri, të rrezikshëm, i cili do të përhapej me shpejtësi”. Nga e gjithë kjo mund të përfundohet se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është e bindur se imunizimi është mënyra e vetme për të vënë nën kontroll pandeminë Kovid-19, me çfarë do të demonstrohen edhe përfitimet ekonomike prej saj.
Autoritetet britanike ishin të parat në Evropë që miratuan vaksinat e paraqitura, që llogaritej si një rrezik i llojit të vet, ndërsa vendet dhe institucionet e tjera të Bashkimit Evropian vepruan me hapa shumë më “të sigurt”. Sot, të paktën deri tani, rreziku britanik duket se është shpaguar, por a dukej kështu atëherë dhe a kishte rezistencë serioze ndaj vaksinimit?
Të dhënat e fundit statistikore kombëtare(Office of National Statistics), bazuar në një studim të titulluar “Virusi korona dhe hezitimi ndaj vaksinimit, Mbretëria e Bashkuar: 17 Shkurt deri 14 Mars 2021”, tregoi qëndrim pozitiv ndaj kovid vaksinave te 94 përqind të të anketuarve gjatë periudhës 17-21 mars 2021, e cila tregon një rritje të madhe nga hulumtimi i mëparshëm i kryer në periudhën 10-13 dhjetor 2020, ku kjo shifër ishte 78 përqind. Kjo do të thotë që më shumë se nëntë nga dhjetë të rritur britanikë kanë mendim pozitiv lidhur me imunizimin, dhe gjashtë përqind shfaqin hezitim. Sipas grupmoshave, rreth një nga tetë (12%) të moshës 16-29 vjeçare hezitojnë të marrin vaksinën, që paraqet rënie prej 17 përqind krahasuar me periudhën e mëparshme. Rezultatet e studimit social për kovid-19 të University College London, që akoma nuk ka mbaruar, janë shumë të ngjashme. Qëndrimi pozitiv ndaj vaksinës duket se është rritur ndjeshëm, rreth një nga pesë (21.6%) e atyre që hezituan, ndryshuan mendimin e tyre nga “shumë pak e mundur” që do të merrnin vaksinën në vjeshtën e vitit 2020, në “shumë e mundur” që do ta merrnin vaksinën deri në mars të vitit 2021. Në mënyrë të ngjashme, një në tre (32.6%) të anketuar të cilët raportuan se ishin “shumë të vështirë” të marrin vaksinën vjeshtën e kaluar tani kanë marrë të paktën një dozë. Ngjashëm me këtë, një nga tre (32.6%) të anketuar të cilët raportuan se ishte “shumë pak e mundur” të marrin vaksinën vjeshtën e kaluar, tashmë kanë marrë të paktën një dozë. Është me rëndësi të theksohet se nuk ka rritje të hezitimit ndaj vaksinave: vetëm më pak se një përqind e qytetarëve që janë shprehur se “shumë e mundur” të vaksinoheshin vjeshtën e kaluar ndryshuan mendimin e tyre në “shumë pak e mundur” për ta bërë këtë. Në përgjithësi, në muajt e fundit, ndjenja pozitive ndaj imunizimit në Mbretërinë e Bashkuar tregon trend në rritje, edhe pse një grupmoshë e caktuar, grupe etnike të caktuar dhe një pjesë e grupeve me status socio-ekonomik të ulët akoma shfaqin qëndrim hezitues ndaj imunizimit.
Në këtë kohë të mungesës së vaksinave dhe një kërkimi të furishëm të tyre në të gjitha anët, sa i ka ndihmuar Britanisë ajo që njëra vaksinë është krijuar në Oksford dhe e prodhon pjesërisht kompania britanike “AstraZeneca”?
Grupi punues për vaksinën i qeverisë së Britanisë së Madhe (Vaccine Taskforce – VTF) u themelua në prill të vitit 2020 për t’i siguruar popullatës qasje të sigurt dhe efektive deri te vaksinat kundër Kovid-19, duke krijuar një portofol të gjerë të llojeve të ndryshme të vaksinave. Ky grup reagoi me të vërtetë shumë shpejt për të nënshkruar marrëveshje për vaksinat që lënin të kuptohet se do të ishin më efektive në mbrojtjen nga virusi, duke u përqendruar në ato që do të ishin në dispozicion më shpejtë dhe do të mund të prodhohen në sasi të mëdha, sigurisht duke u dhënë përparësi vaksinave që do të prodhoheshin në Mbretërinë e Bashkuar. Deri më tani janë siguruar gjithsej 367 milion doza nga shtatë prodhues dhe katër lloje të ndryshme të vaksinave. Mbretëria e Bashkuar ishte vendi i parë në botë që e siguroi dhe miratoi përdorimin e vaksinës Pfizer/BioNTech, në sasi prej 40 milion dozash, të mjaftueshme për një të tretën e popullsisë. Gjithashtu, Mbretëria e Bashkuar ishte vendi i parë në botë që siguroi, autorizoi dhe filloi prodhimin e vaksinës Oxford/AstraZeneca, duke siguruar 100 milion doza të saj. Për më tepër, janë siguruar 17 milion doza të vaksinës Moderna që duhet të mbërrijnë së shpejti dhe 30 milion doza të vaksinës Jansen. Një shtesë prej 180 milion dozash sigurohen nga vaksinat GlaxoSmithKline/Sanofi Pasteur, Novavax dhe Valneva. Por, edhe krahas kaq shumë vaksinave të ndryshme, ne nuk mund të zgjedhim me cilën dëshirojmë të vaksinohemi. Na informojnë për prodhuesin, por e marrim atë që na përcaktohet nga autoritetet shëndetësore në atë moment.
Flitet shumë për vaksinën AstraZeneca, gjegjësisht rreziqet që i sjell për shkak të mundësisë së mpiksjes së gjakut dhe shkaktimit të trombit. Shumë vende e ndaluan aplikimin e saj, mandej e hoqën ndalesën dhe më pas e ndaluan përsëri për një kategori tjetër të njerëzve. Cili është qëndrimi juaj për këtë, veçanërisht pasi në Britani shumica e popullsisë është vaksinuar pikërisht me AstraZeneca (më shumë se 18 milion), ndërsa në Maqedoni është distribuuar përmes mekanizmit “Covax” të BE-së? A kanë maqedonasit arsye për shqetësim kur do të shkojnë të vaksinohen?
Të gjitha vaksinat dhe barnat kanë disa efekte anësore dhe për këtë nuk ka dyshim. Këto efekte anësore vazhdimisht po ekuilibrohen dhe peshohen përkundrejt përfitimeve të pritshme të parandalimit të sëmundjes. Në këtë vend bëhet monitorim aktiv i situatës faktike, që përfshin monitorimin e vazhdueshëm të raporteve të dorëzuara për efekte të dyshimta dhe anësore nga vaksinat. Çdo individ ose profesionist i kujdesit shëndetësor mund të dorëzojë raport të efekteve anësore përmes skemës Karton i Verdhë (YellowCard), ndërsa është e hapur për të gjithë, përfshirë edhe qytetarët e Maqedonisë, nëse dëshirojnë të informohen. Deri në 21 mars 2021, në Britani të Madhe janë raportuar 40.883 kartonë të verdhë për Pfizer/BioNTech (të dhëna nga afërsisht 10,8 milion doza të aplikuara) dhe 99.817 kartonë të verdhë për vaksinën Oxford/AstraZeneca (bazuar në 16 milion doza të aplikuara). Për të dy vaksinat, shkalla e përgjithshme është rreth tre deri në gjashtë kartonë të verdhë për 1000 doza të administruara. Për të dy vaksinat, shumica dërrmuese e raporteve kanë të bëjnë me reaksione të lehta deri të moderuara anësore: reaksione në vendin e injektimit (p.sh. dhimbje krahu) dhe simptoma të përgjithësuara si sëmundje “e ngjashme me gripin”, dhimbje koke, ethe, lodhje, të përziera, marrje mendsh, dobësi, dhimbje muskujsh dhe rrahje të përshpejtuara të zemrës. Në përgjithësi, këto reaksione ndodhin në një kohë të shkurtë pas vaksinimit (24-48 orë) dhe nuk janë të lidhura me ndonjë sëmundje më serioze ose të përhershme.
Raporti i fundit nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar tregon se nga 9 dhjetori 2020 deri më 24 mars 2021, janë regjistruar gjithsej 30 raste të problemeve të mpiksjes së gjakut të shkaktuara nga Oxford/ AstraZeneca: 22 raste të mpiksjes së gjakut në tru, të quajtur trombozë venoze të sinusit cerebral (CVST), e shoqëruar me numër të ulët të trombociteve, si dhe tetë raste të problemeve të tjera të mpiksjes së gjakut, gjegjësisht ulje e numrit të trombociteve (trombocitopeni) midis personave që kanë marrë vaksinën. Nga këto 30 persona, shtatë kanë humbur jetën deri më tani. Nëse bëjmë një krahasim me faktin se deri në 24 mars 2021, një total prej 18.1 milion doza të kësaj vaksine janë aplikuar në Mbretërinë e Bashkuar, rreziku do të ishte rreth 1.6 raste për 1.000.000 të vaksinuar. Kjo mbështet pretendimin e ekspertëve se numri i reaksioneve serioze anësore është shumë i ulët dhe se përfitimet e vaksinës (sëmundje serioze dhe vdekje e shkaktuar nga virusi korona) tejkalojnë rreziqet. Në Gjermani ka pasur 31 raste të trombozës venoze të sinusit cerebral (CVST) pas aplikimit të 2.7 milion dozave të vaksinës Oxford/AstraZeneca, 19 prej të cilave shoqëroheshin me numër të ulët të trombociteve dhe nëntë raste vdekjeje. Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) thotë se ka shqyrtuar gjithsej 14 raste vdekjeje të raportuara deri më 22 mars lidhur me paraqitjet e pazakonta të mpiksjes së gjakut te pranuesit e Oxford/AstraZeneca. Gjetjet e fundit sugjerojnë se shumica e këtyre rasteve të rralla të trombëve të gjakut paraqiten te gratë nën moshën 65 vjeç, por tani për tani mbetet e paqartë pse. Raporte të këtilla dhe të ngjashme sigurisht që rrisin shqetësimin lidhur me problemet e mundshme të rralla të mpiksjes së gjakut të shkaktuara nga kjo vaksinë në javët e fundit dhe rrisin nervozen te popullata, gjë që është mjaft e kuptueshme. Si rezultat i kësaj, përderisa shumë vende kanë vazhduar të përdorin vaksinën pas një ndërprerjeje në programet e tyre, të tjera hezitojnë. Kanadaja ka pezulluar përdorimin e Oxford/AstraZeneca për personat nën moshën 55 vjeç, ndërsa Gjermania ka ndaluar përdorimin rutinë të vaksinës për personat nën 60 vjeç. Tani për tani, qëndrimi i EMA është se nuk ka prova për një lidhje të drejtpërdrejtë, shkakore midis këtyre reaksioneve trombotike dhe vaksinës, ndërsa i thekson përfitimet nga vaksinimi që dukshëm i tejkalojnë rreziqet, duke pasur parasysh rrezikun që e bart Kovid-19. Sidoqoftë, EMA njofton se në informacionin për vaksinat do të përfshihet një paralajmërim për dukuritë e këtilla të rralla, ndërsa ndjekja dhe hulumtimet vazhdojnë.
Çfarë mendoni për vaksinat e tjera, veçanërisht ato që nuk janë miratuar ende nga Agjencia evropiane e barnave (EMA): ruse dhe kineze? A duhet të presim këtë miratim, apo njerëzit të imunizohen me cilëndo vaksinë që mund të gjendet?
Mbretëria e Bashkuar dhe BE akoma nuk i kanë aprovuar këto vaksina për përdorim dhe do të ishte mosmirënjohëse të komentohet. Në Rusi, Sputnik V u miratua më 20 Gusht 2020, para fillimit të fazës së tretë të provave klinike, ndërsa është bërë në bazë të dy vektorëve adenovirus të kombinuar me proteinën spike të SARS-CoV-2. Vektori i parë i adenovirusit jepet në dozën e parë, dhe i dyti pas 21 ditësh, në dozën e dytë të vaksinës, me qëllim që të shmanget zhvillimi i një përgjigje imune ndaj vetë virusit vektorial. Rezultatet e fazës së parë dhe të dytë të provave klinike, të kryera në 76 subjekte në një studim të hapur jo-rastësor, u botuan në Shtator 2020 në revistën shkencore The Lancet; këto rezultate nuk tregojnë ekzistencën e efekteve anësore serioze, ndërsa ankesa më e zakonshme është dhimbja në vendin e aplikimit. Rezultatet e para nga faza e tretë e provave klinike të 22.000 pjesëmarrësve në një studim placebo të kontrolluar të randomizuar (që konsiderohet standardi i artë në studimet epidemiologjike) u botuan në shkurt të vitit 2021 dhe tregojnë efikasitet prej 91.6 përqind kundër Kovid-19 dhe tolerancë në grup të madh. Rreth 94 përqind e efekteve anësore të raportuara janë të lehta. Gjatë studimit janë regjistruar katër vdekje, të cilat, sipas autorëve, nuk janë të lidhura me vaksinën. Më 2 dhjetor, të njëjtën ditë kur Britania miratoi vaksinën Pfizer/BioNTek për përdorim, Presidenti rus Vlladimir Putin filloi vaksinimin masiv me Sputnik V. Kompania biofarmaceutike me seli në Pekin “Sinovac” qëndron pas vaksinës kineze CoronaVac, e cila bazohet në një metodë tradicionale dhe të provuar të përdorimit të një virusi të inaktivuar si nxitës i përgjigjes imune. Ka pak të dhëna zyrtare shkencore mbi efektivitetin e vaksinës kineze. Bazuar në 144 pjesëmarrës në fazën e parë të provave klinike dhe 600 në fazën e dytë, të botuar në Lancet, vaksina u karakterizua si “e përshtatshme për përdorim emergjent, ndërsa nuk janë raportuar efekte anësore serioze”. Më 20 dhjetor, Sinopharm njoftoi se vaksina ka një efikasitet prej 79.34 përqind, edhe pse rezultatet e fazës së tretë ende zyrtarisht nuk janë publikuar. Sidoqoftë, kjo vaksinë përdoret në shumë vende si Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kina, Serbia, etj. Kur dikush më pyet se cila vaksinë është më e mira, përgjigjja ime është gjithmonë e njëjtë – e para që e keni në dispozicion. Të dhënat shkencore tregojnë se rreziku i efekteve anësore nga të gjitha vaksinat e përdorura deri më tani është shumë i vogël dhe i papërfillshëm në krahasim me përfitimet e tyre, si për mbrojtjen personale ashtu edhe për shoqërinë në tërësi.
Si e pranojnë dhe kalojnë britanikët mbylljen? A kishte rezistencë të madhe? Mediet raportonin demonstrata të herëpashershme kundër masave, por çfarë mendonte shumica e popullsisë, a kishte disiplinë në respektimin e rekomandimeve të caktuara? Si prisni që të kalojnë Pashkët, të cilat janë atje këtyre ditëve?
Studimi social i University College London në rezultatet që i shpalli më 21 mars 2021 tregon se shumica e qytetarëve i respekton masat e mbylljes, ndërsa respektimi i pjesës më të madhe të paketës së masave është në nivel të lartë vazhdimisht, megjithëse respektimi i plotë i të gjitha masave të mbylljes tregon një rënie të vogël. Edhe përkundër kësaj, rezultatet e respektimit janë të ngjashme me ato të mbylljes së parë të rreptë në maj të vitit 2020. Nivelet e ankthit janë të ngjashme me ato të mbylljes së vjeshtës, ndërsa niveli i depresionit është i krahasueshëm me atë të regjistruar në fund të mbylljes së parë në maj të vitit 2020. Kënaqësia nga jeta tregon një trend në rritje që nga fillimi i vitit të ri në të gjitha grupet demografike dhe tani mund të krahasohet me nivelin e verës së vitit 2020. Mund të përfundohet se shumica (96%) vazhdon të respektojë masat aktuale, ndërsa një shkallë më e ulët e respektimit është regjistruar te: amvisëritë me të ardhura më të larta, të rinjtë, zonat urbane, burrat, disa grupe të pakicave etnike dhe njerëzit me shëndet të mirë fizik. Moti i mirë, lehtësimi i vogël i masave që hynë në fuqi më 29 mars, d.m.th. leja për tu përzier dy familje (natyrisht, vetëm jashtë), e bëjnë të veten. Kryeministri Boris Xhonson paralajmëron qytetarët të mos përzihen në ambiente të mbyllura, se “nuk jemi akoma në atë fazë” sepse vaksinat e virusit korona “nuk ofrojnë mbrojtje 100%”.
A ndryshoi jeta përgjithmonë, së paku në disa aspekte, shkaku i koronës? A ka mundësi që disa gjëra kurrë mos të jenë të njëjta si më parë?
Një gjë është e sigurt – u tregua se përshtatja ndaj ndryshimeve mund të paraqesë një sfidë të vërtetë. Por, qofshin ato të planifikuara apo të paplanifikuara, graduale apo të papritura, ndryshimet janë të pashmangshme dhe paraqesin një pjesë e madhe të asaj se çfarë do të thotë të jesh qenie njerëzore. Gjatë muajve të fundit kemi përjetuar një ndryshim të paparë në mënyrën e jetesës sonë për shkak të Kovid-19. Pandemia shkaktoi një sërë ndryshimesh socio-ekonomike te ne personalisht, në shoqëri dhe në ekonomi, ndërsa mendoj se është shumë herët të flitet për pasojat afatgjata dhe mbetet të vlerësohen në të ardhmen. Në një kohë kur pandemia vazhdon me tërbim globalisht, shëndeti publik dhe ekonomia, si dhe balancimi i këtyre dy problemeve, mbeten në fokus. Dhe si do të dukej normalja e re!? Sipas meje, të paktën në dy-tre vitet e ardhshme, maskat dhe radhët do të pranohen si normë, si dhe pushimet verore në oborret tona, në vend të udhëtimeve në destinacione ekzotike. Ngjarjet sportive dhe kulturore do të marrin një dimension tjetër, ndërsa vaksinat dhe testet e shpejta të antigjenit do të luajnë një rol të madh në zhvillimin e tyre të sigurt. Do të vazhdojmë të trishtohemi kur dikush kollitet ose teshtin, ndërsa do të shpresojmë që shprehia e larjes së duarve dhe higjiena personale të mbijetojnë. Do të vazhdojmë të mbështetemi në teknologji dhe lidhje dixhitale, e cila si kundërvlerë do të rrisë numrin e orëve që do t’ia kushtonim vetes dhe familjes tonë. Për mua personalisht, kjo do të thotë që unë do të jem në gjendje të qëndroj më shpesh dhe për një kohë më të gjatë në Maqedoni dhe në Ohër, qytetin tim të lindjes, ndërsa në të njëjtën kohë punoj në Angli. Sigurisht, do të ndihesha më e sigurt në aeroplan nëse askush nuk do të ulej në ulësen pranë meje. Dhe për fund, edhe nëse një vend arrin imunitet të tufës, edhe për ca kohë do të jenë të nevojshme doza suplementare vjetore të vaksinave, mbikëqyrje e vazhdueshme, veçanërisht e varianteve potenciale të reja të rrezikshme të virusit dhe masa të tjera për të mbrojtur shëndetin publik.
Çfarë më së shumti i goditi dhe vetëdijesoi (ata që i goditi dhe vetëdijësoi) njerëzit e Ishullit: numrat e të infektuarve dhe të vdekurve, fotografitë nga spitalet ose përvoja e njerëzve të afërt të cilët u infektuan dhe kaluan përvojën traumatike të sëmundjes?
Mbase e gjithë kjo së bashku. Numri i përgjithshëm i të vdekurve si rezultat i Kovid-19 në Britaninë e Madhe është afërsisht 130.000, dhe është në vendin e pestë në botë, pas SHBA, Brazilit, Meksikës dhe Indisë. Lajmet se trajtimi në spitale për sëmundjet tjera pothuajse është ndërprerë, se shumë nxënës nuk do të mund të kalojnë provimet e tyre përfundimtare vjetore, papunësia e cila po rritet në mënyrë marramendëse, detyrimi i qeverisë për sigurimin e vaksinave dhe pagesa e ndihmave për bizneset dhe rrogave për ata që janë akoma nuk munden ose nuk u lejohet kthimi në punë, rrisin ndërgjegjësimin dhe përpjekjen kolektive për të dalë nga kjo situatë.
Çfarë ndodh me të ashtuquajturat lloje të reja të virusit? Kuptohet se nuk mund të dihet se çfarë mutacioni do të paraqitet në të ardhmen, por një nga më të komentuarit për momentin është i ashtuquajturi “variant britanik”, i cili do të ishte e logjikshme të ishte më prezent në Britani. A janë vaksinat më të forta se ai?
Të gjithë viruset evoluojnë gjatë riprodhimeve të shumëfishta që u mundësojnë të përhapen dhe të mbijetojnë. SARS-CoV-2, virusi që shkakton Kovid-19, është treguar se nuk ndryshon nga të tjerët në këtë kontekst. Aktualisht vlerësohet se ka më shumë se 4.000 variante të Kovid-19, i cili tashmë ka shkaktuar humbje jete të gati tre milion njerëzve në të gjithë botën. Vazhdon të ketë akoma pasiguri të madhe lidhur me atë se nëse vaksinat aktuale do të jenë në gjendje të na mbrojnë nga këto variante dhe siç po grumbullohen njohuri dhe të dhëna të reja për variante të reja, kështu edhe njohuritë dhe aftësia jonë për të modifikuar vaksinat e miratuara, për t’i bërë ato më efektive sesa variantet që paraqiten. Lloji britanik, i zbuluar së pari në Kent, është një variant shumë infektues i virusit korona (i njohur si B.1.1.7) që përhapet shpejt, më virulent (për rreth 70 për qind) dhe më i rrezikshëm për shëndetin, dhe kështu më vdekjeprurës se virusi amë. Hulumtuesit nga Universiteti i Exeter dhe Universiteti i Bristollit analizuan të dhënat nga më shumë se 100.000 pacientë në Britani të Madhe mes 1 tetorit dhe 28 janarit për të krahasuar shkallën e vdekshmërisë në njerëzit e infektuar me B.1.1.7, variant i gjetur në Mbretërinë e Bashkuar dhe të infektuarit me variante të tjera që kanë qarkulluar më herët. Rezultatet, të botuara të mërkurën e kaluar në British Medical Journal (BMJ), tregojnë se rreziku i vdekshmërisë së shkaktuar nga varianti britanik është rritur dukshëm dhe lëviz midis 32 dhe 104 përqind. Kjo paraqet rritje të vdekshmërisë nga 2.5 në 4.1 për 1.000 raste të zbuluara. Këto shifra kanë ndikim jashtëzakonisht të madh në kapacitetet shëndetësore, njëjtë edhe në politikat kombëtare dhe ndërkombëtare të kontrollit. Organizata Botërore e Shëndetësisë, si shumë organizata të tjera mjekësore, thekson se imuniteti ndaj Kovid-19 më së miri të arrihet me vaksinim dhe jo përmes ekspozimit të njerëzve ndaj sindromës respiratore të rëndë akute, koronavirus 2 (SARS-CoV-2). Siç e përmenda më herët, disa lloje të vaksinave Kovid-19 janë tashmë në dispozicion, të tjerat janë akoma nën faza provash, ndërsa efikasiteti i tyre në variante të reja po hulumtohet. Për shembull, vaksina Novavax është një tjetër vaksinë vendore, britanike, e cila është në fazën e tretë dhe të fundit të provave klinike, dhe tregon një efikasitet prej 89.3 përqind. Këto të dhëna bazohen në 15.000 respondentë të moshës 18-84 në kushte të dominimit të variantit britanik. Kjo vaksinë do të prodhohet në Angli, pas miratimit të saj. Tani për tani, vaksinimi mbetet opsioni më i mirë për të zvogëluar vdekshmërinë dhe efektet shkatërruese të Kovid-19. Por, duhet theksuar se është thelbësore që imuniteti i tufës të arrihet përmes imunizimit, i cili do të zhvillohej në mënyrë të barabartë dhe në nivel global. Një sfidë që diskutohet gjithnjë e më shumë është qasja e drejtë ndaj vaksinave. Gjithashtu, nevojiten përpjekje të jashtëzakonshme për të prodhuar numër të mjaftueshëm të vaksinave që do t’i përmbushnin nevojat globale. Përderisa vetë vaksina është efektive, ndikimi i saj do të rrezikohet nëse nuk mund të prodhohen doza të mjaftueshme në kohë.
Britanikët janë shumë krenarë me sistemin e tyre shëndetësor NHS (National Health Service), gjegjësisht shëndetin publik. Si ia doli në pandemi dhe a ka ndryshuar marrëdhënia midis shëndetit publik dhe privat vitin e fundit? A shkonin në institucionet shëndetësore shtetërore vetëm ata që nuk kishin mundësi të trajtoheshin në ato private?
Në Britani, sektori privat i shëndetësisë dhe roli i tij në trajtimin e pandemisë përmendet shumë pak ose aspak. Unë nuk e di se në çfarë kushtesh dhe çfarë mbrojtjeje ofron. Besimi në Shërbimin shëndetësor kombëtar (NHS) është i padiskutueshëm, ndërsa trajtimi dhe kujdesi që e mundëson është i standardizuar dhe bazuar në protokollet e caktuar nga Instituti kombëtar për mbrojtje shëndetësore dhe sociale (National Institute for Health and Care Excellence – NICE), që përgjigjet vetëm para parlamentit Britanik. Sidoqoftë, pandemia që për më shumë se një vit është në qendër të vëmendjes së komunitetit të shëndetit publik, ka hapur një numër çështjesh të tjera shqetësuese që janë neglizhuar prej kohësh në sistemin e shëndetit publik.Njerëzit në Mbretërinë e Bashkuar jetojnë më gjatë se kurrë më parë, por në të njëjtën kohë, hendeku midis jetëgjatësisë së pritshme dhe jetëgjatësisë së shëndetshme po zgjerohet, veçanërisht tek ata të kategorive më të prekshme socio-ekonomike. Kjo asnjëherë nuk ka qenë më e qartë se gjatë vitit të kaluar. Në të gjithë botën, Kovid-19 nxori në pah çmimet e mëdha ekonomike, sociale dhe personale që u shkaktuan drejtpërdrejt nga përkeqësimi i shëndetit të popullsisë, me ndikim më të madh mbi qytetarët e kategorive më të lëndueshme. Për momentin po punohet për reforma të mëdha strukturore të shëndetit publik, të cilat janë jetike për të siguruar rezultate më të mira dhe më të drejta shëndetësore për të gjithë, njëkohësisht duke ulur presionin mbi Sistemin kombëtar shëndetësor – NHS.
Para disa javësh, punonjësve shëndetësorë në Mbretërinë e Bashkuar iu premtua një rritje e rrogave për një përqind, të cilën ata e refuzuan si nënçmuese. Kryeministri Boris Xhonson tha “nuk kemi më shumë”. A fituan status më të mirë shoqëror punonjësit shëndetësorë britanikë për shkak të sakrificave të mëdha që bënë kalojnë gjatë pandemisë?
Ashtu si në vendet e tjera, punonjësit shëndetësorë trajtohen me emrin e vërtetë – HERONJ, të cilët punojnë pa u lodhur dhe përballen me pandeminë, madje edhe në llogari të jetës së tyre. Në nivel botëror, numri i punonjësve të kujdesit shëndetësor që kanë vdekur, si dhe ndikimi në shëndetin e tyre fizik dhe mendor janë të mëdha. Gazeta “Mirror” më 20 janar 2021 raportoi se 52.000 punonjës shëndetësorë ishin të sëmurë me kovid. Sipas BMJ, parashikohet mbi 540 punonjës të NHS dhe mbi 262 të punësuar në sektorin për kujdes social kanë ndërruar jetë si pasojë e virusit korona me marsit dhe dhjetorit të vitit 2020. Shifrat e Amnesty International tregojnë se më shumë se 3.000 punonjës shëndetësorë kanë vdekur nga Kovid-19 në 79 vende, edhe pse shifra mbase është nënvlerësuar dukshëm për shkak të raportimit joadekuat. Sipas monitorimit të Amnesty, vendet me numrin më të lartë të rasteve të vdekjeve të punonjësve shëndetësorë deri më tani janë: Rusia (545), Britania e Madhe (540), SHBA (507), Brazili (351), Meksika (248), Italia (188) , Egjipti (111), Irani (91), Ekuadori (82) dhe Spanja (63). Në Mbretërinë e Bashkuar, një hulumtim i kryer në korrik të vitit 2020 me më shumë se 16.000 mjekë nga Shoqata mjekësore britanike, zbuloi se 48 përqind e të anketuarve raportuan se blinin pajisje për mbrojtje personale ose përdornin pajisje të dhuruara për shkak të mungesës së rezervave në vendet e tyre të punës. I njëjti studim zbuloi se 65 përqind e mjekëve thanë se ndiheshin “pjesërisht ose plotësisht të pambrojtur”. Duket se është “abnormalitet i ri” të besohet se është krejtësisht e arsyeshme që punonjësit shëndetësor të shkojnë në punë me pritje se ata në fund do të infektohen nga një sëmundje e rrezikshme për jetën, duke krijuar “mitin” e sakrificës individuale, gjoja për të mirën kolektive. Lidhur me rritjen e rrogave, Xhonson mbeti në ofertën prej 1 për qind, në vend të minimumit të premtuar dhe të dokumentuar prej 2.1 për qind, duke argumentuar se rritja e numrit të motrave medicinale ishte më e rëndësishme sesa rritja e rrogave, megjithëse ai u kritikuar nga NHS dhe opozita për këtë veprim të pandershëm, të turpshëm dhe poshtërues. Dëmi moral, fizik dhe material i shkaktuar shëndetit dhe punonjësve socialë, i cili mund dhe mund të ishte shmangur, është i thellë dhe plagët do të mbesin edhe shumë gjatë kohë. Detyrimi për të mbrojtur heronjtë shëndetësorë dhe socialë kërkon vullnet, vetëdije dhe përgjegjësi individuale, kolektive, shoqërore dhe politike.