Sot 22 vite nga rënia e dëshmores Mukadeze Muhaxheri nga Kaçaniku

Mukadeze Lika – Muhaxheri u lind më 4 prill të vitit 1960, në Kaçanik, ku edhe kreu shkollën fillore, si dhe shkollën e mesme ekonomike.

Mukadezja ishte e bija e gjashtë e Hazbie dhe Bafti Likës, të cilët patën tetë vajza.
Ajo ishte e martuar me Agim Muhaxherin dhe la pas katër fëmijë, Ilirikën, Donikën, Albanën dhe Albanin.
E frymëzuar nga tradita familjare dhe nga literatura me përmbajtje kombëtare liridashëse, në mars dhe prill të vitit 1981, Mukadezja dhe motra e saj, Xhevahirja, marrin pjesë në demonstratat studentore, të cilat asokohe ishin organizuar nga rinia atdhedashëse e Kosovës. Së bashku me motrën dhe me shoqe të tjera, ato morën pjesë në demonstratat e zhvilluara në Prishtinë, në Ferizaj dhe në Kaçanik.

Në mars të vitit 1998, kur komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, dha kushtrimin e lirisë, ajo ishte e përgatitur për t`u rreshtuar në radhët e luftës çlirimtare.
Më 16 mars të po atij viti, Mukadeze Lika-Muhaxheri ndodhet në ballin e nënave kosovare, që ishin nisur rrugës për në Drenicë, por policia serbe me dhunë i ktheu nga rruga në Fushë-Kosovë.

Ajo mori pjesë në shumë aktivitete atdhetare, në protestat e demonstratat, që u zhvilluan sidomos në mars dhe në prill të vitit 1998, në përkrahje të luftës që kishte filluar në Drenicë dhe në Dukagjin.
Me rastin e zgjerimit të radhëve të UÇK-së në Zonën e Kaçanikut, Mukadezja, nënë e katër fëmijëve të mitur, rishfaqi interesim dhe përkushtim për t`iu bashkuar radhëve të luftës çlirimtare. Fillimisht kryen aktivitete logjistike, ndërsa në mars të vitit 1999 veshi uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përveç bashkëluftëtare e trimave të lirisë, ajo ishte edhe motër, që përkujdesej qoftë për ushqimin, qoftë për plagët e ushtarëve të plagosur në front.
Pas fillimit të intervenimit të forcave të NATO-s kundër makinerisë së krimit serb, kriminelët e Milosheviqit kishin filluar dëbimin masiv të shqiptarëve për në Maqedoni dhe në Shqipëri.

Pasi ishte konsultuar me bashkëshortin, Agim Muhaxheri, ajo i kishte thënë atij:
-“Merri fëmijët dhe shko në Shkup, unë nuk ndahem nga luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Dhe ashtu kishte ndodhur. Mukadezja ishte vendosur në vijën e parë të frontit.
Në prill të vitit 1999, forcat serbe kishin ndërmarrë ofensivë shkatërrimtare kundër disa pozicioneve të UÇK-së në zonën e Kaçanikut. Luftimet zhvilloheshin tejet të ashpra, ndërsa luftëtarët tanë, edhe pse të armatosur dobët, po qëndronin të palëkundur.

Në vijën e frontit, në vendin e quajtur Përroi i Rakocit, Mukadezja ndodhej me disa luftëtarë dhe së bashku me luftëtarin Besnik Bajra, në shtëpinë e Xhemail Sopës. Predha armike e goditi shtëpinë ku ishte barrikaduar luftëtarja Mukadeze Lika-Muhaxheri dhe luftëtari Besnik Bajra.

Pas dy orë luftimesh të ashpra, në fushën e nderit kishin rënë dëshmorë disa luftëtarë dhe shumë të tjerë ishin plagosur. Në po të njëjtin vend ishte plagosur rëndë edhe luftëtarja, Mukadeze Lika-Muhaxheri.

Rreth orës 18:00, të 9 prillit 1999, pikërisht në prillin kur i kishte mbushur 39 vite jetë, ajo kishte dhënë frymën e fundit, duke rënë dëshmore dhe duke lënë pas familjen e saj dhe ëndrrën për ta parë atdheun e saj të çliruar.