Maqedoni

U përkujtua saga e të mbijetuarave të Holokaustit

Sot Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, shënoi 27 janarin – Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit, datë kjo që përkon me përvjetorin e çlirimit të kampeve të vdekjes Auschvitz-Birkenau nga forcat sovjetike në vitin 1945. Për t’i dhënë kuptim më fundamental shënimit të kësaj dite, sivjet Departamenti për Hulumtimin dhe edukimin e Holokaustit në kuadër të ITShKSh-së, u përcaktua që të trajtojë një temë të dhimbshme, por mjaft të rëndësishme që ndërlidhet me fatin tragjik të gruas hebreje në kampet naziste. Moto e këtij pëkujtimi ishte saga e të mbijetuarave të Holokustit “Ato sfiduan vdekjen – mbollën farën e jetës”, ku morën pjesë studiues dhe përfaqësues të dhjetëra ambasadave në vend.
Drejtori i Institutit, Skender Asani, tha se gjeografia e dhembjeve njerëzore është shumë hetergjone, kurse vetëm solidariteti ndaj atyre dhembjeve mund të jetë homogjen, ashtu siç po provojmë edhe ne sot në këtë Akademi përkujtimore kushtuar viktimave dhe të mbijetuarve të Holokastit. “Fundja, ne po trasojmë një traditë pozitive të solidaritetit që ishte demonstruar pikërisht këtu në Shkup, kur dhjetra familje hebreje u evakuan falë ndihmës me plot rreziqe të familjeve bujare nga ky qytet. Jemi me fat që ne si institut arritëm të intervistojmë dhe të komunikojmë me disa nga të mbijetuarit e Holokastit, me ç’rast ne edhe përgatitëm disa libra, të cilat tani janë pjesë e bibliotekave publike e private këtu te ne dhe në botë”, u shpreh Asani.
Para një jave Kombet e Bashkuara miratuan një rezolutë që dënon mohimin e Holokaustit, kurse njëri prej kontributorëve që kjo rezolutë të miratohet ishte edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Yair Lapid, i cili pati një paraqitje virtuale enkas për ITShKSh – në. Ai duke përkujtuar Holokaustin, bëri thirrje për paqe, duke thënë se nëse nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, kemi mundësi për ta ndryshuar të ardhmen tonë për të mirë.
Në këtë akademi përkujtimore, gjithashtu virtualisht u paraqit Ita (Drita) Bartuv, një e mbijetuar e Holokaustit, por edhe mike e Institutit tonë, e cila u shpreh e lumutur që bashkëpunimi me të nxori në pah shumë detaje të panjohura mbi fatin e grave dhe vajzave hebreje gjatë ditëve të vështira të golgotës së tyre.
Një fjalë rasti pati Rachael Cullins, këshilltare për liri politike dhe fetare nga Ambasada amerikane në Maqedoninë e Veriut, kurse nga ambasada gjermane në Shkup, tubimit iu drejtua atasheu Florian Träger-Steintjes. Ndërsa, nga Izraeli u paraqit virtalisht një mikeshë e Institutit, dr. Rachel Shelly Levi Drummer, nga Bar Ilan University.
Dhe në fund, Maja Susha – udhëheqëse e Departamenti për hulumtimin dhe edukimin e Holokaustit, foli për përvojat jetësore familjare, konkretisht për sagën e vuajtjes së gjyshes së saj si e mbijetuar e Holokaustit.
Pjesë e kësaj akademie përkujtimore ishte edhe një insert muzikor me temë nga filmi ‘Lista e Shindlerit’, që u ekzekutua nga Duo Scupi në flautë dhe violinë.