Kolumna

Përse kanë frikë shqiptarët e ‘Severnës’ të jenë të barabartë me fqinjët e tyre?

Shkruan: Medai Shaholli

Shqiptarët e ‘Severnës’ tashmë janë adaptuar dhe mësuar me padrejtësitë dhe shtypjen kombëtare që ushtron për dekada të tëra pushteti sllavo-maqedon në bashkëpunim me servilë shqiptarë në qeveritë e koalicioneve.
Shqiptarët e kësaj treve në përgjithësi nuk kanë reaguar dhe as kanë shfaqur shenja të revoltës qytetare për pabarazi dhe dinjitet të nëpërkëmbur kombëtar, por siç thonë ata ua kanë lënë në dorë partive politike për ta realizuar këtë ‘detyrë kombëtare’ si kusht i pjesëmarrjes së tyre në qeveritë e koalicionit, kusht ky që nuk u vendos kurrë nga subjektet politike shqiptare.

Përveç një rebelimi të moderuar dhe të kontrolluar në konfliktin e stisur të 2001, shqiptarët në përgjithësi duke mos njohur bëmat dhe gjëmat që janë bërë në kushtetutën e re janë pajtuar me statusin inferior dhe denigrues me nofkën përbuzëse bashkësi e 20% në kushtetutë.

Sot më 11 janar, mbushen plot tre vjet nga miratimi i ndryshimeve kushtetuese, ku partitë politike shqiptare të papërgjegjshme dhe servile të pushtetit së bashku miratuan amandamentet e reja, duke mos guxuar korrigjimin e kushtetutës, ku do përcaktohej emërtimi ynë dinjitoz i kombit shqiptar si të barabartë me sllavët në preambulë dhe një amandament që rregullon statusin e gjuhës shqipe, por që e lanë të pandryshuar në kushtetutë nofkën gjuhë e 20% që nënkupton shqiptarët si epitet i popullit pa identitet dhe pa gjuhë.

Ky ishte ‘peshqeshi më me vlerë’ që partitë politike shqiptare i kanë dhënë ndonjëherë shqiptarëve në këto tri dekada të demonkracisë në vend.

Atë ditë të zezë të 11 janarit të 2019, partitë politike shqiptare i kanë votuar ato ndryshime për interesa të ngushta financiare pasi janë ‘blerë dhe shitur’ me para secili lider shqiptar nga skuthi Zajko për gjoja sakrificë sublime në emër të integrimeve europiane, sakrifikuan interesat kombëtare por që këto integrime nuk u bënë realitet kurrë gjatë qeverisjes së tij.
Po në emër të integrimeve europiane partitë shqiptare pranuan nënshtrimin dhe nënçmimin e nofkës së 20%, duke ia mos ia shpjeguar shqiptarëve se kanë nënshkruar skllavërinë e re dhe mohim të identitetit gjuhësor kombëtar si popull pa emër por vetëm se kanë kanë kontribuar për së mbari duke ‘shpëtuar’ vendin nga bllokimi i vetos greke me ndryshimin e emrit si Maqedoni e Veriut.

Ajo që është skandaloze në këtë rast është fakti se papagallët shqiptarë të pushtetit çuditen kur Bullgaria mohon identitetin kombëtar dhe gjuhësor të sllavo-maqedonasve dhe nuk ndërgjegjësohen që këtë të drejtë pushteti dhe ‘dërzhava’ e tyre ua mohojnë shqiptarëve.

Kushtetuta e re nuk e njeh gjuhën shqipe me emër por me shifër pasi këtë nofkë e çimentosën në kushtetutë edhe partitë shqiptare duke u bërë bashkëfajtorë në përdhosjen e identitetit kombëtar dhe gjuhësor të shqipes sonë.

Megjithëse partitë shqiptare e kanë ditur se hapja e ndryshimeve kushtetuese për një rast tjetër nuk është e lehtë dhe se për të hapur sepse duhet miratim i së paku 80 votave, që në fakt shqiptarët nuk i mbledhin dot pasi nuk ka gatishmëri të bllokut sllavo-maqedon për t’i bërë ndryshimet kushtetuese nga frika e humbjes së supremacisë dhe mbajtjes së shtetit dhe pushtetit.

Dhe kjo është frika që shqiptarëve ua kanë shtirë deri në palcë këto partiçka shqiptare se ‘dërzhava’ u takon vetëm bllokut tjetër dhe se ne jemi vetëm gardianë e paterica të ruajtjes së stabilitetit dhe rendit kushtetues shetit dhe pushtetit për hir të ca kockave që pushteti ndan për servilët e tij.

Shqiptarët e kësaj treve të Ilirisë së lashtë nuk do duhet më të pranojnë skllavërinë e re në kushtetutë me emërtime dhe nofka që u bëhen vetëm popujve nomadë pa identitet, por të kërkojnë barazi të plotë përmes kërkesave këmbëngulëse dhe dinjitoze të zërit protestues të intelektualëve të ndershëm dhe atdhetar, nëse duam ta rikthejmë dinjitetin e nëpërkëmbur dhe krenarinë kombëtare ashtu si na takon mes popujve të barabartë të europës së bashkuar.