Maqedoni

Qeveria do paguajë rritjen e çmimit të ngrohjes qendrore

Qytetarët në Qytetin e Shkupit dhe komunave të brenda tij nuk do të paguajnë fatura më të larta për ngrohje meqë Qeveria ofron të paguaj 80% duke propozuar që komunat të paguajnë 20% të pjesës së rritur të faturës. Ky vendim i Qeverisë vjen pas vendimit të KRRE-së në dhjetor për rritjen e faturave të energjisë për ngrohje për 14%. Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe kryetari i Komisionit Rregullator të Energjetikës Marko Bislimovski ftojnë kompanitë që furnizojnë qytetarët me ngrohje, Qytetin e Shkupit dhe komunat në të, të pranojnë propozimin e tyre. Sipas projeksioneve fillestare dhe çmimit aktual të lëndëve për ngrohje, kjo masë brenda një viti Qeverisë do t’i kushtojë rreth 5 milion kurse komunave bashkë rreth 1 milion euro, shkruan Alsat.

“Qeveria, pas koordinimit me të gjithë institucionet kompetente nga sektori energjetik dhe konsultimeve me KRRE-në u propozoi kompanive që kanë licencë për prodhim, distribuim dhe furnizim me energji për ngrohje. Dallimin nga çmimi aktual deri në çmimin real të energjisë për ngrohje ta mbulojë Qeveria nga buxheti në lartësi prej 80% kurse pjesën e mbetur prej 20% me qëllim që të mbulohet gjithë konstrukti financiar dhe të arrihet siguri në furnizimin me energji për ngrohje për shfrytëzuesit e rrjetit të ngrohjes, edhe pse një pjesë minimale, i ftojmë ta mbulojnë Qyteti i Shkupit dhe komunat në kuadër të qytetit.”- deklaroi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Qeveria mjetet do t’ia paguaj BEG-ut në emër të qytetarëve kurse BEG do të jetë i detyruar t’i ulë faturat e shfrytëzuesve. Kreu i Komisionit Rregullator të Energjetikës Marko Bislimovski kujton se masa është në shërbim të qytetarëve.

“Edhe një herë, dua të theksoj dhe t’i ftoj shfrytëzuesit e kompanive që kryejnë veprimtari në kuadër të energjisë për ngrohje ta pranojnë këtë propozim sepse është real dhe sepse u siguron likuiditet dhe ajo që është më e rëndësishme, siguron që qytetarët e Qytetit të Shkupit të mos kenë rritje të shpenzimeve për sigurimin e energjisë për ngrohje.”- pohoi Marko Bislimovski, kryetar i Komisionit Rregullator të Energjetikës.

Kjo vlen për të gjithë kompanitë e kësaj veprimtarie në kuadër të Qytetit të Shkupit për të gjithë vitin 2022.

Propozimi për këtë masë vjen nga Qeveria pavarësisht se komunat janë shkaktarët më të mëdhenj të krizës me ngrohjen.