Vdiq afro-ulqinakja e fundit, File Kastrati
Të hënën në Ulqin, në moshën 89-vjeçare ka vdekur, derisa sot (e martë) është varrosur File Kastrati, e cilësuar si “afro-ulqinakja e fundit” nga mediat lokale.
Lajmin për vdekjen e kanë dhënë djemtë e saj, Shyqyria dhe Reshiti. E ndjera ishte bashkëshortja e Rrahman Kastratit, me origjinë nga fshati Zatriq i Rahovecit, i cili ka vdekur në vitet e shtatëdhjeta.
Një familjar i familjes të së ndjerës nga Rahoveci, i cili të martën ka marrë pjesë në varrimin në Ulqin, i ka thënë KOHËS se e ajo kishte lindur në Ulqin, ndërsa të parët e familjes së saj ishin vendosur shumë kohë më parë në qytetin bregdetar.
Lajmin për vdekjen e saj e kanë dhënë edhe mediat lokale. Portali “Ul-info” e ka publikuar lajmin me titull “Ndërron jetë afro-ulqinakja e fundit”.
Ismet Karamanaga, intelektual dhe i njohur edhe si ciceron i Ulqinit, i ka bërë një dedikim-përshkrim figurës së Kastratit.
“Të hënën në moshën 89-vjeçare ndërroi jetë File Kastrati, një zonjë e ‘rëndë’ dhe e mrekullueshme. Zonja File ishte afroulqinakja e fundit në qytetin tonë nga komuniteti i ‘Harapëve’, zezakëve të ardhur shekuj më parë nga brigjet e Afrikës”, ka shkruar Karamanaga. “Ky komunitet ka lënë gjurmë të pashlyera në historikun, në jetën dhe në përgjithësi në trashëgiminë e qytetit tonë. Zonja File dhe të parët e saj kanë mbetur sinonim i një kohe të cilën nuk guxojmë ta harrojmë. Unë flas dhe shkruaj me një pietet për këtë zonjë, pasi pas ndërrimit të jetës së saj, pak gjurmë mbesin, të them më mirë shumë gjurmë zhduken nga ky komunitet i rëndësishëm, i cili qytetit tonë shekuj me radhë i dha një imazh dhe kosmopolitizëm të rrallë në këtë pjesë të Evropës”, ka shkruar Karamanga.