MMT ngre dyshime: A po e mbron edhe Lëvizja Besa proejktin e Daka Davidoviqit në Tetovë?
Gazetar | Emir Hamzi
Sot në seancën e katërt të këshillit komunal – Tetovë është miratuar buxheti i komunës së Tetovës për vitin 2022. Me 18 vota Për u miratua propozim-buxheti prej 26 milionë euro. Deficiti për këtë vit është mbi 500 mijë euro. Kasami para medias deklaroi se ky buxhet është buxhet krize të cilin e ka gjetur në komunën e Tetovës dhe nuk reflekton përcaktimin programor të Kasamit si kryetarë i komunës së Tetovës, njofton Nistori.
“Ky buxhet është një buxhet krize, sepse nuk reflekton përcaktimin tim programor sa i përket projekteve dhe asaj të cilën ne e kemi premtuar dhe për të cilën angazhohemi në administratën e komunës për t’i realizuar në të mirë të qytetarëve. Pra, është një buxhet i cili fillimisht është i përcaktuar nga korniza ligjore që nënkupton mesataren e realizimit të tre viteve të fundit, një mesatare e cila ka qenë katastrofike në periudhën e kaluar, sa i përket vjeljes së të hyrave burimore të komunës. Pra, ky buxhet është një buxhet për funksionim normal të aktiviteteve të përditshme të komunës dhe në një pjesë shumë të vogël për investime kapitale. Ne dje patëm një debat publik me qytetarët ku morëm shumë sugjerime të cilat premtuam se do të inkorporohen në rebalancin e parë i cili do të realizohet brenda vitit 2022.”, u përgjigj Kasami.
Ardhja me vonesë e këshilltares së Lëvizjes Besa e bëri të pamundur që propozimi për pezullimin e PDU-së së bllokut urban 57 afër Shik Jellakut e bëri të pamundur që kjo pikë të hidhet në rend të ditës në seancën e sotme të katërt të këshillit komunal – Tetovë, për shkak se Pozita nuk i kishte 16 vota, por 15. Nuk dihet nëse kjo vonesë 0ishte e qëllimshme apo me arsye, sepse disa minuta më vonë këshilltarja u fut në sallën ku mbaheshte seanca. Kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami tha para medias se për arsye shëndetësore këshilltarja nuk arriti në kohë, njofton Nistori.
“Ne të gjithë jemi njerëz, mund të ndodh që të sëmuremi. Këshilltarja ka qenë në një kontrollë në spital dhe pastaj erdhi. Kështu që nuk besoj se ka ndonjë dilemë të tillë. Sigurisht që përkushtimi im si kryetar, besoj edhe këshilli është që rishqyrtohet ai plan dhe nga fillimi të nisin të gjitha procedurat që parashihen me ligj.” – deklaroi Kasami.
“Unë si Hamdi Sulemani – këshilltar nga nisma “Më mirë për Tetovën” ua prezantova se do të kërkojmë në këshillin komunal që si pikë të vendoset në rend të ditës propozimi për rishqyrtimin edhe njëherë të bllokut urban 57, i cili gjendet afër Shik Jellak-ut dhe njëkohësisht ajo pikë u diskutua dhe u nxorr në votim, ku pikërishti nga këshilltarët e Lëvizjes Besa nuk u përkrahë ajo pikë dhe shkoi me 15 vota Pro. Ne e dijmë se të nevojshme janë 16 vota – të gjithë këshilltarët e pozitës t’i bashkangjiten këtij procesi. Kemi dyshime, se ndoshta edhe garnitura e re kanë ndonjë interes më të madh dhe për momentin pezulluan rishqyrtimin e atij plani urbanistik. Gjithsesi, edhe ne si iniciativë do të angazhohemi dhe do të analizojmë më tej sesi do të veprojmë, duke e ditur se sot kalohet buxheti. Ne jemi pro buxhetit, por në seancat e ardhshme ne do të kemi kërkesat edhe të një seance të jashtëzakonshme për shqyrtimin e kësaj pike.” – deklaron Sulemani nga MMPT.
Sulemani vlerëson se në seancën e ardhshme përsëri do ta hedhin propozimin në votim dhe do të ndjekin lëvzijen e këshilltarëve të Besës nëse do të votojnë apo jo ndryshimit të PDU-së në Shik Jellak.
Ndryshe, në debatin e 8 tetorit të këtij viti që u organizua nga BarCamp Tetovë, bartësit e listave do ta rikthejnë si debat, por nuk mund ta shfuqizojnë të tërë si vendim, sepse ka kaluar të gjitha institucionet shtetërore, si Ministria e Transportit, Ministria e Ambientit, me plan gjeodet dhe në fund e ka dhënë verdiktin këshilli komunal në Tetovë, ku disa këshilltarë atë kohë e kundërshtuan.
“Ka mund të ndalet, mund të inicohet në qoftë se duan 2/3 e këshilltarëve…Në qoftë se bëhen bashkërisht 23 këshilltarë, le të jetë plan urbanistik, por jo me atë formë të cilën e kanë paraparë ata, siç ndërtesat të jenë në rrugë, njëra ngjitës tjetrës. Duhet të ketë 1/3 gjelbërim, duhet të ketë parking, bodrum për secilën banesë të cilën duhet të ndërtohet. 2/3 e këshilltarëve në qoftë se marrin iniciativë, mund ta ndryshojnë edhe atë, mund të ndryshojnë edhe shumë çka. Mund të ndryshojnë edhe emrat e shkollave”, deklaroi bartësi i listës nga radhët e Lëvizjes Besa, Besar Durmishi. (sinc. 8 tetor 2021)