Besfort Idrizi zgjidhet Ambasador kundër gjuhës së urrejtjes
U promovua fushata rajonale e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës: “Bllokoje urrejtjen. Shpërndaje dashurinë!”
Fushata “Bllokoje urrejtjen. Shpërndaje dashurinë!” synon të rrisë ndërgjegjësimin për format e ndryshme të gjuhës së urrejtjes që synojnë komunitete dhe individë të veçantë në shoqëri, por edhe të promovojë mënyra të ndryshme për të luftuar gjuhën e urrejtjes.
“Kjo fushatë ka për qëllim t’i prezentojë standardet e Këshillit të Evropës dhe të monitoroj gjuhën e urrejtjes në jetën e përditshme të qytetarëve, me qëllim që t’i bartim konceptet e përvojave që i prekin njerëzit dhe i mobilizojnë ata duke folur për të drejtat e njeriut dhe barazinë. Të gjitha aktivitetet synojnë rritjen e vetëdijes për pasojat e rrezikshme për ata që janë në shënjestër të gjuhës së urrejtjes, me qëllim të eliminimit”, u shpreh Katlin Tamus nga zyra programore e KE-së në Shkup.
“Më paraqet kënaqësi dhe privilegj të veçantë të jem në rolin e Ambasadorit kundër gjuhës së urrejtjes dhe të jem pjesëmarrës aktiv në fushatën e përbashkët të Unionit Evropian dhe Këshillit të Evropës – “Bllokoje urrejtjen. Ndaj dashuri!” – tha Besfort Idrizi.
Figura publike nga sfera të ndryshme janë ambasadorët që mbështetën fushatën dhe apeluan që të injorohet gjuha e urrejtjes. Në mesin e tyre janë punonjësi mjekësor Denis Jankulovski i cili në publik njihet me nofkën Kosmonautko, Ljuljeta Ademi – aktiviste, më pas, Silvana Muçiq Plevnesh – këngëtare e njohur, Ognen Janeski – prezantues televiziv dhe aktivist për të drejtat e njeriut dhe Besfort Idrizi – aktor e regjisor i njohur.
Ata patën mundësinë të ndajnë mesazhet e tyre gjatë fillimit të manifestimit dhe ngritën zërin për një shoqëri të lirë pa urrejtje dhe diskriminim.